spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
11:30
HomeKulturëAt Zef Pllumi, shpirt që “rrnoi vetëm për me tregue”

At Zef Pllumi, shpirt që “rrnoi vetëm për me tregue”

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

At Zef Pllumi (1924-2007) përkujtohet sot në 101-vjetorin e lindjes si figurë që mbetet simbol i rezistencës shpirtërore dhe i dinjitetit njerëzor në Shqipëri.

Muzeu Historik Kombëtar solli në këtë ditë disa nga momentet kryesore që përcaktuan jetën dhe veprimtarinë e At Zef Pllumit si një zë që nuk heshti, një mendje që nuk u thye dhe një shpirt që “rrnoi vetëm për me tregue”.

- Advertisement -

At Zefi lindi në Lezhë më 1924. Arsimin e nisi në Kolegjin Françeskan të Shkodrës dhe e vijoi në Liceun “Illyricum”, të cilin e përfundoi më 1942. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, u përfshi në jetën intelektuale si pjesë e revistës “Hylli i Dritës” dhe si sekretar personal i Atë Anton Harapit, një nga figurat më të rëndësishme të françeskanëve shqiptarë. Por diktatura komuniste nuk falte mendimin e lirë. Ai u arrestua, u torturua dhe u dënua.

Fillimisht e burgosën në Shkodër, më pas e internuan në kampin e Bedenit. Pasi u lirua në vitin 1949, u vendos në kuvendin françeskan të Arrës së Madhe ku qëndroi deri më 1958. Gjatë kësaj kohe punoi si teknik i numizmatikës në Muzeun e Shkodrës dhe në vitin 1956 u shugurua meshtar, duke shërbyer për 12 vjet në Shosh të Dukagjinit.

- Advertisement -

Në vitin 1967 regjimi e arrestoi sërish. Pasoi një periudhë e gjatë e mbushur me dhimbje: 23 vjet në burgjet dhe kampet e Spaçit, Repsit, Ballshit, Skrofotinës, Tiranës dhe Zejmenit. Një çerek shekulli heqje lirie nuk e thyen dot. Ai doli prej tyre pa urrejtje, por me vendosmërinë për të dëshmuar. Pas lirimit në vitin 1989, iu rikthye “Hyllit të Dritës”, duke e ringjallur në vitet 1993–1997.

Në këtë periudhë shkroi dhe botoi trilogjinë e famshme “Rrno vetëm për me tregue” (1995–2001), një dëshmi e fuqishme për kohën e terrorit, e shkruar jo për të kërkuar mëshirë, por për të lënë gjurmë dhe për të treguar se dinjiteti është më i fortë se dhuna.

Përveç saj, ai botoi edhe një sërë veprash të tjera me vlerë të jashtëzakonshme për kulturën dhe kujtesën shqiptare: “Françeskanët e mëdhanj” (2001), “Antipoezi për shekullin e njëzetë” (2001), “Siç thonim dje” (2002), “Para njimijë vjetve” (2003), “Frati i pashallarëve Bushatli të Shkodrës” (2004) etj. Ndër nismat më të vyera të tij ishte ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë. Vepra e At Zef Pëllumbit u nderua edhe nga shteti shqiptar. Në vitin 2006 Presidenti i Republikës e dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit”, ndërsa Ministria e Kulturës i akordoi çmimin “Penda e Artë” për trilogjinë me kujtime. At Zef Pëllumbi u nda nga jeta më 25 shtator 2007 në spitalin Gemelli në Romë dhe më 30 shtator u përcoll për në amshim në Shkodër, qytetin ku shërbeu, vuajti dhe la pas një trashëgimi që frymëzon breza të tërë.

Të dhënat janë marrë nga Fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. /atsh

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat