“Jeta si në film-Piro Milkani”, titullohet dokumentar kushtuar regjisorit të shquar shqiptar, që ndërroi jetë në maj të këtij viti, në moshën 86-vjeçare.
Miq, kolegë, familjarë të Piro Milkanit ndoqën shfaqjen e filmit në kinemanë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ku përmes zërit të tij, rrëfehet rrugëtimi artistik dhe jeta personale e një prej figurave më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare.
Ky film një prodhim i Cinemania u realizua nga skenaristi Bashkim Hoxha dhe regjisorët Rigers Plaka e Marviks Shantoja.
Ky dokumentar është një rrugëtim emocional, artistik dhe njerëzor përmes kohëve dhe kujtimeve të një mjeshtri si Milkani.
I lindur më 5 janar 1939 në Drenovë, Korçë, Milkani ishte një nga kineastët e parë të kinematografisë shqiptare, duke realizuar filma që mbetën në kujtesën dhe zemrat tona. Veprat e tij si “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti” u bënë pjesë e identitetit tonë kulturor dhe janë dëshmi e talentit dhe përkushtimit të tij ndaj artit”.
Përveç kontributit të tij si regjisor, Milkani ishte edhe një edukator i përkushtuar, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të kineastëve shqiptarë.
Nga krijimtaria e regjisorit përmendim filmat si: 1990- Ngjyrat e moshës; 1988- Pranvera s’erdhi vetëm; 1987-Eja!; 1985-Në prag të jetës; 1984-Militanti; 1983-Fraktura; 1982-Besa e kuqe; 1981-Në kufi të dy legjendave; 1980-Një shoqe nga fshati; 1977-Shembja e idhujve; 1976-Zonja nga qyteti; 1975-Çifti i lumtur; 1971-Kur zbardhi një ditë; etj. /atsh