Pas intervistës së dhënë nga veterani Agim Pllashniku në storm•, një reagim publik ka ardhur nga Fadil Gumnishta i Vushtrrisë, i cili përmes një videoje në rrjete sociale ka pretenduar se Pllashniku ka ofenduar edhe Komandantin Legjendar, Adem Jashari.

Mirëpo, ky reagim – sipas burimeve policore – nuk ka kaluar pa u vërejtur nga Pllashniku, i cili tashmë ka paraqitur kallëzim në Polici për shpifje dhe kanosje. Dokumenti policor që e dëshmon këtë i është shfaqur storm• nga burimet e sigurta brenda Policisë së Kosovës.
Si medium, storm• ka theksuar edhe në fillim e në mbyllje të intervistës se nuk mban përgjegjësi për deklaratat e mysafirëve në emisionin KushKaTeDrejt, por hapësira është gjithmonë e hapur për çdo të përfolur në intervista që të vijë e të kundërpërgjigjet me argumente. Ky është rregull themelor i Institutit për Lidership Civil, si organ themelues i podcastit.
Njëherësh, storm• bën thirrje të mos ngatërrohen ofendimet sharlatane ndaj personave apo mediave me misionin e qartë të platformës: të sqarojë, të shpjegojë dhe të argumentojë çështjet dhe dilemat e kohës përmes debateve dhe intervistave publike.