Udhëtimet në Jug ishin galdimi i Borgesit. Ai njihte në ato fluturime shumë vende, zakone e kultura. Gëzonte si fëmijë atyre visoreve, adhuronte veçanërisht Japoninë, edhe pse e kishte humbur pothuajse fare shikimin.
Shtegtime të tilla të ndihmojnë të njohësh më së shumti veten, pohonte argjentinasi.
Vajtja në Jug këtu shpesh nuk sjell të njëjtën kënaqësi, jo vetëm në kuptimin shpirtëror. Lefteria që ka një market të vogël në Himarë e di ku është problemi.
“Marrin një paketë makarona këtu te unë o bir 1 mijë e 200 lek, e shesin 15 atje në restorant”, e thotë me zë buçitës 70 vjeçarja. Po mundohet të shpjegojë pse ka rënë puna.
Por bregu ështē një lloj çertifikimi. Një kod. Shumë të rinj duhet ta deshmojnë se e kanë kryer ritualin. Sidomos në rrjete sociale.
Marku në Velipojë është i zënë me grabujen që ngul në rërë e pastron plazhin. Ngre shezlongjet në perëndim, ben gati plojën e madhe të së nesermes. Ai s’ka shumë derte të ketilla, vramendje për ikje, leshime e zhvendosje. E ka gjetur destinacionin në Veri. Mësues në Tropojë, po muajt e verës punon këtu. Shtatorin e pret pa pezmin e shumëkujt që hyn në vjeshtë si pa busull, pa energji, pa ide.
Ka hallin se nxënësit janë çdo vit e më të pakët. Bashkimi i klasave nuk menaxhohet lehtë.
***
Inkursionet në Jug ishin të preferuarat e Perandorit Adrian. Një nga 5 sunduesit e mirë të Romës. I pasionuar qe pas atyre kerleshjeve e atij diversiteti që gjente. Grindjet e vazhdueshme të hebrenjve me greket, apo kombet qê ngrinin krye mes Eufratit dhe Tigrit. Armenet më një anë, e sirianet në anen tjetër. Buzë Nilit apo nē Mesopotami, ai projektonte boten që vijon tregtinë e mendafshit, e shkembimin e gjakut dhe ideve. Asnjëherë nuk kthehej pa vendosur paqe. Pax Romana.
Këto kujtime dhe reflektime na vijnë nga Marguerite Yourcenar. Mes trillit e kronikes historike. Po mjaft të vlefshme edhe sot për tē shuajtur atë zjarr qē s’ka tē sosur në atë pjesë të rruzullit, 2 mijë vite më pas.
***
Kujtimet e Adrianit, është një libër vere. Ka shumë dritë, ka enderrim, e sidomos udhëtime. Kur perandori nisej me bezdi për të ruajtur kufinjtë nē veri e nē Danub, mezi priste dalldinë e zbritjes në Jug.
Athina ndalesa e preferuar. Ai besonte se e kishte realizuar martesen e kesaj kulture me ate romake. Një fill që vinte nga larg e do vijonte dhe pas tij.
E shpalli qytetin e përjetshëm, aty ku sundoi, jo thjesht prej ngrehinave. Jo vetëm pse kasollet prej kashte apo llomishtet po shndërroheshin në Kolose e Panteon.
Po sidomos për idenë e drejtësisë e humanizmit, të arsyes e rregullit. Ndaj Roma do të ishte gjithnjë sa kohë në cepin më të largët të botës do jetohej me këto norma e me parimet; Humanitas, felicitas, libertas.
Ku është sot Roma jonë. Në cilin polis, në cilën shembelltyrë? Pak kemi mesuar nga Adriani! /Edi Lesi