Ferizaj, 3 shtator 2025 – Një vajzë 21-vjeçare në Ferizaj i ka shpëtuar vdekjes falë reagimit të shpejtë dhe profesional të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, sot rreth orës 04:30, policia ka pranuar një thirrje nga qytetarët se një vajzë e re po tentonte të hidhej nga ballkoni i katit të katërt të një kompleksi banesor.
Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë në vendngjarje, ku fillimisht kanë kontaktuar me dëshmitarët dhe më pas kanë vërejtur vajzën në anën e jashtme të ballkonit. Pas tentativave për komunikim e qetësim, njëri nga policët është ngjitur në banesë dhe, për shkak të urgjencës, ka hapur derën me forcë. Me ndërhyrje të shpejtë, ai së bashku me një koleg tjetër ka arritur ta tërheqë vajzën brenda, duke i shpëtuar jetën.
Në vendngjarje ka intervenuar edhe ekipi i emergjencës, i cili i ka dhënë ndihmën e parë vajzës, e cila ishte në gjendje të rënduar psikike dhe emocionale. Ajo është shoqëruar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa më pas është transferuar në Klinikën Universitare të QKUK-së në Prishtinë.
Familjarët e saj janë njoftuar menjëherë pas ngjarjes.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe ka apeluar tek qytetarët që të raportojnë raste të ngjashme, me qëllim të parandalimit të tragjedive.
Për procedurat tjera ligjore, policia njofton se do të informojë opinionin me kohë.