Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka emëruar ministrin e Mbrojtjes, Sébastien Lecornu, kryeministrin e ardhshëm të vendit.
Sipas një njoftimi për shtyp të dërguar nga Pallati Elize të martën në mbrëmje, Macron “i ka ngarkuar” Lecornu-së “të konsultohet me forcat politike të përfaqësuara në Parlament për të miratuar një buxhet dhe për të ndërtuar mbi marrëveshjet thelbësore për vendimet në muajt e ardhshëm”.
Lecornu ishte emëruar për këtë pozicion vitin e kaluar dhe do të pasojë François Bayrou, i cili u shkarkua nga detyra pasi humbi një votëbesim vendimtar në parlament të hënën.
Sébastien Lecornu tani do të duhet të zgjedhë kabinetin e tij në ditët në vijim. Dorëzimi midis Lecornu dhe Bayrou do të bëhet të mërkurën në mesditë në Paris, sipas ekipit të ish-kryeministrit.
Njoftimi vjen gjithashtu në prag të protestave mbarëkombëtare që synojnë të paralizojnë transportin, shkollat dhe jetën e përditshme.
“Prandaj, Emmanuel Macron po përgatitet të emërojë një Kryeministër pa u konsultuar me partitë politike… Përgjigja është në rrugë. Nesër”, tha Marine Tondelier, udhëheqëse e Partisë së Gjelbër, pak para emërimit të Lecornu-së.
“Vetëm largimi i Macronit mund t’i japë fund kësaj komedie të trishtueshme përbuzjeje për Parlamentin, votuesit dhe mirësjelljen politike”, shkroi lideri i të majtës ekstreme, Jean-Luc Mélenchon.
«Presidenti po qëllon me fishekun e fundit… i bllokuar me grupin e tij të vogël besnikësh», tha me shaka Marine Le Pen, bashkëkryetarja e partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar.
“Pas zgjedhjeve të pashmangshme të parakohshme në të ardhmen, Kryeministri do të quhet Jordan Bardella”, vazhdoi ajo, duke iu referuar të mbrojturit të saj 29-vjeçar dhe eurodeputetit.
Partia e Tubimit Kombëtar i ka bërë thirrje Presidentit francez që të shpërndajë Dhomën e Ulët të Parlamentit dhe të thërrasë zgjedhje të reja parlamentare.
Por shpërbërja e parlamentit mund të japë një rezultat të paqartë, ose t’i japë edhe më shumë vende Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë ose partisë së majtë të ashpër Franca e Papërkulur. Macron ka thënë vazhdimisht se ky opsion nuk është zgjedhja e tij e parë.
Lecornu është një mbështetës besnik i epokës së Macronit, i cili ka mbajtur pozicione në ekipin e presidentit që nga viti 2017.