Në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe Turqisë, në Qendrën Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpëtim të Gardës Kombëtare në Kosovë po zhvillohet trajnimi “Kërkim-Shpëtim Urban i Avancuar”.
Në këtë trajnim marrin pjesë trupa nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Forcat e Armatosura të Republikës së Turqisë si dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Trajnimi fokusohet në përgatitjen e pjesëmarrësve për reagim të shpejtë dhe efikas në raste katastrofash natyrore dhe njerëzore. Gjatë programit trajtohen tema si planifikimi operacional, zhvillimi i detyrave individuale si kërkues-shpëtues, puna ekipore në operacione shpëtimi, përdorimi i pajisjeve moderne, aplikimi i teknikave të ndryshme shpëtimi dhe ofrimi i ndihmës së parë në situata emergjente urbane.
Ky trajnim përfaqëson një hap tjetër të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit trepalësh për rritjen e kapaciteteve të reagimit në situata emergjente, duke forcuar ndërveprimin dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet tri vendeve.