Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është takuar me presidentin e Ganës, John Dramani Mahama.
Begaj ka shkruar në platformën “X” se ka konfirmuar njohjen e Kosovës nga shteti i Ganës.
Gana e kishte njohur Kosovën si shtet në vitin 2012, por ishte raportuar se shteti afrikan e “kishte tërhequr njohjen në vitin 2019”.
Begaj tha se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të pozicionit të saj ndërkombëtar të Kosovës.
“Sot në OKB 🇺🇳, u takova me Presidentin e Ganës @JDMahama për të diskutuar avancimin e bashkëpunimit tonë dypalësh dhe shumëpalësh, si dhe për të konfirmuar njohjen e Ganës për Kosovën. Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të pozicionit të saj ndërkombëtar të Kosovës”, ka shkruar ai.
Gana gjendet në perëndim të Afrikës dhe ka mbi 34 milionë banorë.