Ish-komandant i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, ka thënë se manovrat në politikë janë fundi i pashmangshëm, duke theksuar se Kosova ka nevojë për politikë të pastër e cila ndërton raporte normale me popullin dhe miqtë tanë.
“Manovrat në Politikë, Fundi i Pashmangshëm. Manovrat politike, edhe kur vishen me fjalë të bukura, janë të destinuara të dështojnë. Ballkani i ka parë të gjitha format e tyre nga manipulimet e brendshme, deri tek tentimet për të mashtruar edhe miqtë strategjikë që na kanë ndihmuar të fitojmë lirinë. Në kohën e sotme, ku çdo e pavërtetë zbulohet për sekonda, këto taktika jo vetëm që dështojnë më shpejt, por lënë edhe plagë më të mëdha: e prishin besimin mes qytetarëve dhe e dëmtojnë marrëdhënien me aleatët tanë. Ne kemi nevojë për politikë të pastër, që ndërton raporte normale me popullin dhe me miqtë tanë, jo për manovra që i kthejnë ato raporte në eksperimente të pa dobishme”, ka shkruar Mustafa.