Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore shënohet çdo vit më 29 shtator dhe është një nismë e mirë për të promovuar dhe rritur ndërgjegjësimin mbi ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
Çdo 29 shtator, vëmendja përqendrohet në dëshmitë e identitetit tonë kulturor, të shfaqur në të trija dimensionet e tij: material, shpirtëror dhe natyror.
Kjo ditë na kujton se trashëgimia nuk është vetëm një kujtim i së shkuarës, por një pasuri e gjallë që jeton në çdo gur të kalave, në çdo këngë popullore, në zakonet, gjuhën dhe lidhjen tonë me natyrën.
Kjo ditë u vendos për herë të parë si datë zyrtare në vitin 2015, si një mënyrë për të festuar dhe nxitur vlerësimin për thesaret materiale dhe jomateriale që e identifikojnë kulturën shqiptare – nga monumentet historike, kalatë, muzetë, te këngët, veshjet tradicionale dhe zakonet popullore.
Qëllimi është të afrojë qytetarët, sidomos të rinjtë, me trashëgiminë e vendit dhe të nxisë përfshirjen e komunitetit në ruajtjen dhe promovimin e saj.