Më 1 tetor 1991 u hap në Tiranë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në cilësinë e të Ngarkuarit me Punë “ad interim” ishte Christopher Hill. Ky i fundit u pasua nga ambasadori William Edwin Ryerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij qeverisë shqiptare më 21 dhjetor 1991.
Tre muaj më pas, sekretari amerikan i Shtetit, James Baker, vizitoi Shqipërinë.
Ndërsa, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Uashingtonit zyrtar u rivendosën pas një shkëputjeje 52-vjeçare të vendit tonë prej Perëndimit, nëpërmjet nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, që parashihte çeljen e ambasadës shqiptare përtej Atlantikut.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, në organikën e Ministrisë së Punëve të Jashtme shtoheshin 5 punonjës, një ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, dy diplomatë dhe dy punonjës teknikë (shifranti dhe shoferi).
Shpenzimet e nevojshme prej 270 mijë dollarësh për hapjen dhe funksionimin e ambasadës dhe për pajisjen e saj me autovetura dhe me orendi të ndryshme, duheshin përballuar brenda planit të miratuar për vitin 1991.