Sot bëhen 28 vjet nga protesta më e madhe studentore në Kosovë, e mbajtur, më 1 tetor të vitit 1997, nën organizimin e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP).
Protestës së atëhershme i prin anëtarët e kryesisë së UPSUP-së, në mesin e të cilëve ishte edhe kryeministri i tanishëm në detyrë Albin Kurti, si dhe Bujar Dugolli, Driton Lajqi dhe Muhamet Mavraj.
Në krye të protestës ishte edhe rektori i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci.
Kjo protestë studentore ishte nismëtare e lëvizjes gjithëpopullore kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Kosova në atë periudhë ishte e ngulfatur nga regjimi serb dhe studentët ishin ngritur për të kërkuar lirimin e objekteve shkollore, përkatësisht Universitetin e Prishtinës, por kërkesa, sipas organizatorëve në thelb ishte për lirinë e Kosovës.
“Rezistenca paqësore e popullit të Kosovës, e qendërzuar rreth lëvizjes studentore, tregoi vendosmërinë tonë për liri dhe shtetndërtim,” shkroi Kurti, duke përkujtuar profesorët, studentët dhe qytetarët që morën pjesë në atë moment historik.
Protesta e 1 tetorit 1997 konsiderohet si pararendëse e mobilizimit që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimin e vendit në qershor të vitit 1999.



