Qyteti bregdetar i Durrësit sot pritet të mirëpresë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Iniciativës Bërdo-Brijuni, i cili do të fokusohet në perspektivën evropiane të rajonit dhe zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.
Në takimin e rëndësishëm në Shqipëri është konfirmuar pjesëmarrja e të gjithë anëtarëve të Iniciativës (Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia).
Midis udhëheqësve të pranishëm do të jenë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiçq, si dhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës dhe Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Iniciativa Brdo-Brijuni synon të lehtësojë përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Temat e diskutimeve lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, planin e rritjes së BE-së, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos të rinisë.
Veç seancës plenare dhe konferencës për shtyp që Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do të mbajë së bashku me homologët e Sllovenisë dhe Kroacisë, shtetet bashkëkryesuese të “Brdo-Brijuni-t”, përgjatë punimeve të këtij samiti janë parashikuar edhe takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.
Ky samit pritet të dalë me konkluzionet përkatëse, të cilat konsiderohen si shtysë për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe progresit të tyre.



