Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden dhe ministrja e Azilit dhe Migracionit, Anneleen Van Bossuyt, filluan të hënën vizitët tre-ditore në Shqipëri dhe Kosovë.
Agjencia belge e lajmeve ka njoftuar se vizita përqendrohet në adresimin e mbipopullimit të burgjeve dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Për të lehtësuar mbipopullimin kronik në burgjet belge, qeveria po shqyrton mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimit të një burgu jashtë vendit për shkelësit jo-rezidentë.
Ministrat do të zhvillojnë bisedime eksploruese mbi idenë e ta bëjnë këtë në Shqipëri ose Kosovë gjatë vizitës së tyre në këto vende, raporton Storm.
Verlinden dhe Van Bossuyt do të bëjnë gjithashtu presion mbi Shqipërinë që të marrë mbrapsht shtetasit e saj që aktualisht mbahen të ndaluar në Belgjikë.
Në burgjet belge ndodhen 307 shqiptarë, 253 prej të cilëve nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vend.
“Nëse ata që janë dënuar këtu dhe nuk kanë të drejtë të banojnë në Belgjikë mund ta vuajnë dënimin e tyre në vendin e tyre të origjinës, kjo do të thotë që dënimi zbatohet siç duhet, ndërkohë që lehtësohet edhe presioni mbi sistemin tonë të burgjeve”, tha Verlinden.
Misioni do të përfshijë gjithashtu diskutime mbi një letër qëllimi në lidhje me ndarjen e aseteve, duke lejuar që një pjesë e të ardhurave kriminale të sekuestruara në Shqipëri ose Kosovë si rezultat i hetimeve të udhëhequra nga Belgjika të kthehen në thesarin belg.
Në Kosovë, delegacioni do të diskutojë gjithashtu një traktat dypalësh mbi ndihmën e ndërsjellë juridike për të forcuar bashkëpunimin gjyqësor afatgjatë.
Verlinden vlerësoi bashkëpunimin me të dy vendet.
Kosova, tha ajo, po shfaqet gjithnjë e më shumë në dosjet penale belge si një qendër për pastrim parash, trafikim njerëzor dhe kontrabandë armësh.
Shqipëria mbetet një partner kyç në luftën kundër trafikimit të drogës, me rrjete kriminale shqiptare aktive në portin e Antverpit.
“Ballkani Perëndimor është tani një rajon kyç në luftën tonë kundër krimit të organizuar. Dua të ndërtoj mbi besimin e ndërsjellë që është rritur nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë në vitet e fundit”, tha Verlinden.



