Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e plotë lidhur me kërkesën e Listës Srpska për çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.
Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit serb.
Me publikimin e këtij vendimi hyn në fuqi ky aktgjykim i Kushtetueses dhe deputetët janë të urdhëruar që të konstituojnë Kuvendin brenda 12 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se propozimi për nënkryetarin serb të Kuvendit, çështje për të cilën u ankua Lista Srpska, duhet të bëhet nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb dhe të votohet me së paku 61 vota për.
“Gjykata rikujton se bazuar në paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës dhe nënparagrafin 1 të paragrafit 6 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve) të Rregullores e Kuvendit rezulton se nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti Serb (i) zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, respektivisht 61 (gjashtëdhjetë e një) vota për; dhe propozimi (ii) bëhet me shkrim (iii) nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb”, thotë pika 127 e aktgjykimit.
Kushtetuesja po ashtu ka konstuar se zgjedhja e nënkryetares nga komunitetet joshumicë joserbe, Emilija Rexhepi, s’është në kundërshtim me Kushtetutën.