spot_img
E enjte, 9 Tetor, 2025
00:17
HomeKosovaBugaqku: Aktgjykimi i Kushtetueses nuk është në linjë me aktgjykimet paraprake

Bugaqku: Aktgjykimi i Kushtetueses nuk është në linjë me aktgjykimet paraprake

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili më 8 tetor u publikua i plotë, nuk është në linjë me dy aktvendimet paraprake lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, thotë njohësi i të drejtës dhe gjyqësisë kushtetuese, Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Dy aktgjykimet paraprake urdhëronin konstituimin e Kuvendit të Kosovës sipas praktikave të deritashme parlamentare. Sipas Bugaqkut, bazuar në praktikat e deritashme parlamentare, nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë, serbe dhe të komuniteteve të tjera, janë zgjedhur në pako.

- Advertisement -

Ndërkaq, në aktgjykimin e fundit, Kushtetuesja thotë se ka mbetur të zgjidhet vetëm edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, i cili duhet të propozohet nga deputetët shumicë të këtij komuniteti – përkatësisht nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

“Jam edhe i habitur dhe paksa i çuditur me ndërrimin e standardit të menjëhershëm të Gjykatës Kushtetuese – dhe atë brenda një periudhe kaq të shkurtë”, thotë Bugaqku.

- Advertisement -

Aktgjykimi i Kushtetueses, shton ai, nuk e ka sqaruar situatën eventuale në rast se Lista Serbe refuzon të propozojë kandidatin ose braktisë seancën gjatë zgjedhjes së kandidatit me short.

Sipas tij, ky aktgjykim nuk e zgjidh çështjen e bllokimit të konstituimit të Kuvendit.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar sot? A i hedh poshtë pretendimet e Listës Serbe, të cilat i ka parashtruar në ankesë?

Vullnet Bugaqku: Në fakt, në bazë të arsyetimit të aktgjykimit, Gjykata (Kushtetuese) e potencoi faktin që – bazuar edhe në praktikën e mëhershme, por edhe bazuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit , si dhe në Kushtetutë – së pari do të duhej që, sipas renditjes, akti i propozimit të bëhej nga grupi parlamentar shumicë, në këtë rast që përfaqëson komunitetin serb, rrjedhimisht nga Lista Serbe.

Por, pavarësisht kësaj, gjykata po thotë se meqenëse deputetët e Kuvendit kanë zgjedhur kandidaturën e propozuar nga radhët e komuniteteve të tjera joshumicë si nënkryetare të Kuvendit (Emilija Rexhepin), atëherë gjykata e legjitimoi faktin që procedura dhe zgjedhja e saj ishte në përputhje me Kushtetutën dhe nuk pati shkelje të Kushtetutës në situatën për të cilën bëhet fjalë.

Prandaj, nëse eventualisht Lista Serbe ka pretenduar që duhej domosdo që e drejta e propozimit t’iu kalonte atyre, dhe së dyti, që votimi i nënkryetarëve të bëhej në pako – sipas praktikës së deritashme parlamentare ose edhe sipas ecurisë, siç përcaktohet në Kushtetutë dhe në Rregullore (të Punës së Kuvendit), gjykata mendoi ndryshe.

Ajo e theksoi faktin që zgjedhja e saj (Emilja Rexhepit) është në rregull dhe se Kuvendi e ka nënkryetaren e zgjedhur nga radhët e komuniteteve tjera joshumicë.

Radio Evropa e Lirë: Në dy aktgjykimet e kaluara të Gjykatës Kushtetuese është thënë që deputetët, për konstituimin e Kuvendit, duhet t’i ndjekin praktikat e mëhershme (parlamentare). Ky vendim, të cilin e ka publikuar Gjykata Kushtetuese, a është në linjë me dy vendimet paraprake, apo mendoni se ka ndryshime?

Vullnet Bugaqku: Unë mendoj se nuk është në linjë. Madje, jam edhe i habitur dhe paksa i çuditur me ndërrimin e standardit të menjëhershëm të Gjykatës Kushtetuese – dhe atë brenda një periudhe kaq të shkurtë.

Së pari, nuk ka asnjë kuptim që nëse praktika parlamentare është e normuar me rastin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit – në këtë rast, të gjitha procedurat parlamentare që janë zhvilluar, që nga shpallja e pavarësisë (së Kosovës, më 2008) e tutje, qoftë me të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit nga grupi më i madh parlamentar, qoftë me procedurën e votimit të hapur, që është legjitimuar si një procedurë, e cila edhe sipas praktikave të deritanishme ka qenë procedurë e hapur – atëherë është e çuditshme se si gjykata, tani me rastin e zbatimit të procedurës për zgjedhjen e nënkryetarëve, nuk i qëndroi praktikës së saj kushtetuese dhe jurisprudencës së saj të së paku dy vendimeve të fundit.

Arsyetimet që i kishin përdorur gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, për mendimin tim, nuk ishin të qëndrueshme. Unë mendoj që më e lehtë dhe më e duhur do të ishte që gjykata ta rikthente votimin në pako (të nënkryetarëve të komuniteteve joshumicë) dhe të mos e mëshironte aspektin e konstituimit të Kuvendit domosdo me zgjedhjen e një nënkryetari që propozohet nga grupi parlamentar i Listës Serbe.

Unë mendoj që ky është një lloj interpretimi eroziv dhe një lloj ta themi “tapie” që iu dha Listës Serbe për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, me faktin që gjykata e përmend që e drejta e propozimit i takon subjektit parlamentar që ka fituar shumicën e ulëseve të këtij komuniteti në Kuvendin e Kosovës. I bie që duhet të ketë domosdo propozim të Listës Serbe të kandidaturave të saj për nënkryetar të Kuvendit dhe duhet të ketë zgjedhje të kësaj kandidature që propozohet nga Lista Serbe, në kuptimin që të konsiderohet se Kuvendi është i konstituuar.

Radio Evropa e Lirë: Çka nëse Lista Serbe nuk e propozon kandidatin e saj ose vepron si herën e kaluar, duke e braktisur seancën konstituive?

Vullnet Bugaqku: Kjo është pyetje hipotetike. Gjykata nuk e sqaroi këtë.

Radio Evropa e Lirë: Prandaj po e bëj pyetjen.

Vullnet Bugaqku: Nuk ka dhënë arsyetim se çfarë ndodh në rast se ky grup parlamentar nuk jep propozim, ashtu sikurse nuk ka dhënë edhe atëherë kur ishte çështja e kandidatit për kryetar të Kuvendit, dhe në ato vendimet e para nuk është se sqaronte gjykata se çka do të ndodhë nëse partia fituese, që ka siguruar më së shumti ulëse në Kuvend, nuk e propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Në këtë rast, nuk e di pse Gjykata e ka lënë këtë hapësirë të interpretimit të normës kushtetuese. Por, megjithatë do të duhej që ta sqaronte mundësinë nëse ata (deputetët e Listës Serbe) nuk propozojnë (kandidat) ose nuk qëndrojnë në sallë edhe nëse vazhdohet me procedurën e shortit. Do të duhej gjykata të jepte një zgjidhje tjetër ose të theksonte faktin që Kuvendi konsiderohet i konstituuar në rast se ndodhin këto dy situata – pra, që Lista serbe nuk propozon dhe e dyta, nuk qëndron në sallë në rast të aplikimit të shortit.

Gjykata do të duhej që ta arsyetonte faktin që Kuvendi të merret si i konstituuar, për shkak se janë këta deputetë që vetë nuk po dëshirojnë të bëhen pjesë e institucioneve dhe vetë vullnetarisht, me vetëdije të plotë nuk po dëshirojnë të jenë pjesë e organeve kushtetuese dhe e përfaqësimit të garantuar që e kanë me Kushtetutë.

Pra, ky interpretim nuk u bë nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata vetëm tha se nëse nuk propozohet (kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga Lista Serbe), vazhdohet me shortin. Mirëpo, për shortin, Rregullorja thotë se duhet të bëhet me prezencën e deputetëve serbë, në këtë rast, të komunitetit që ka të drejtën e propozimit me shkrim të një kandidati për nënkryetar të Kuvendit.

Pyetja është shumë e logjikshme, pra se çka ndodhë nëse ata nuk marrin pjesë.

Atëherë ekziston mundësia që të hapet një rast i ri në Gjykatë Kushtetuese dhe të shkojë sërish një pyetje nga 10 deputetë të Kuvendit, të cilët e pyesin gjykatën se si vazhdohet tutje me seancat e Kuvendit dhe ai të konsiderohet i konstituuar, apo domosdo duhet t’i jepet mundësia, qoftë edhe që, ta zëmë, anëtari i komunitetit serb, në këtë rast Nenad Rashiq, si i vetëm, të merret në konsideratë me rastin e zgjedhjes së tij si nënkryetar i Kuvendit.

Prandaj, këto janë dy dilema që gjykata nuk i ka sqaruar, sipas mendimit tim. Unë mendoj se këtu ka mangësi dhe zbrazëti aktgjykimi. Nuk po e shoh që e ka zhbllokuar situatën për konstituimin e Kuvendit. Ka mundësi të keqinterpretimit të këtij vendimi dhe të gjithë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.

Prandaj edhe po them që unë, personalisht, mendoj që nuk është vendim i qëlluar dhe i duhur, për faktin se Gjykata do të duhej ta ndërlidhte konstituimin e Kuvendit me zgjedhjen e përfaqësuesve të komuniteteve, dhe jo t’i atribuohet vetëm një komuniteti përkatës, në këtë rast Listës Serbe. Në këtë rast është dashur t’i atribuohet zgjedhjes së dy përfaqësuesve, pra, që përfaqësojnë edhe komunitetin serb, por edhe të atyre që përfaqësojnë komunitetet tjera joshumicë në Kuvend.

Rivotimi në pako do të nënkuptonte zgjedhjen e nënkryetarëve të komuniteteve joshumicë dhe jo vetëm zgjedhjen e një nënkryetari që përfaqëson vetëm një komunitet dhe ai që vjen nga radhët e Listës Serbe.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat