Reagimi i Ramiz Lladrovcit pas fitores: “Qytetarët kampionë zgjodhën kryetarin kampion”
Drenas, 13 Tetor 2025 – Pas një fushate të ashpër dhe një rezultati që theu parashikimet e shumë analistëve, Ramiz Lladrovci ka reaguar publikisht duke falënderuar qytetarët e Drenasit për mbështetjen dhe besimin që ia dhanë për një tjetër mandat si kryetar komune.
Në një mesazh të shpërndarë në rrjete sociale, Lladrovci e quajti veten “kryetarin kampion”, duke theksuar se fitorja ishte rezultat i besimit të ndërsjellë mes tij dhe qytetarëve të cilët ai i cilësoi si “kampionë”.
“Krenar me juve qytetarë të Drenasit – qytetarë të zemrës së Kosovës! E di se e jetuat e përjetuat këtë fushatë ndoshta më rëndë se unë dhe familja ime, por, edhe ju edhe unë e kemi ditur se jemi në rrugën e drejtë, prandaj fituam,” u shpreh Lladrovci.
- Advertisement -
Ai vlerësoi lart qëndrueshmërinë dhe integritetin e elektoratit të Drenasit, duke nënvizuar se “fitorja nuk e befasoi qytetarin, por vetëm amatorët politikë.”
Në mesazhin e tij, Lladrovci përmendi edhe sfidat personale dhe politike që ka përjetuar gjatë fushatës, duke i përshkruar ato si të padrejta ndaj dikujt që ka kontribuar për lirinë e Kosovës. Megjithatë, ai tha se “qytetari e dinte drejtësinë e kësaj rruge, prandaj u fitua.”
Një nga pikat më të theksuara në reagimin e tij ishte referenca ndaj garës në komunën fqinje:
“Kemi marrë më shumë vota “Për Drenasin Kampion” se PDK në Skenderaj,” deklaroi ai, duke dhënë një mesazh të qartë politik për përmasat e fitores së tij.
Në përmbyllje, Lladrovci premtoi vazhdimin e qeverisjes transparente dhe llogaridhënëse, duke riafirmuar zotimin për zhvillim të mëtejshëm dhe respekt të ndërsjellë me qytetarët.