Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen mbërriti në Tiranë mëngjesin e sotëm, ku u prit në aeroport nga ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Më pas, presidentja e Komisionit Evropian është drejtuar drejt Presidencës ku është takuar me Presidentin Bajram Begaj.
Pas takimit me kreun e shtetit, diplomatja evropiane është mirëpritur me një ceremoni mirëseardhje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pas ceremonisë, kreu i qeverisë dhe presidentja e KE-së po zhvillojnë një takim kokë më kokë në ambientet e Kryeministrisë, për të vijuar me një takim bilateral mes delegacioneve të të dyja palëve.
Në orën 11:15, kryeministri Edi Rama dhe presidentja Ursula von der Leyen do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kryeministri, ku pritet të japin detaje rreth temave të diskutuara.
Pasditen e kësaj të hëne, Von der Leyen do të mbajë një fjalim në Konferencën Rajonale të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, përpara se të udhëtojë për në Tivat të Malit të Zi, më pas në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut.
Vizita e Presidentes së KE-së vjen në një moment kyç për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, sa i përket hapjes së grupkapitujve me Bashkimin Evropian.
Muajin e kaluar, në Bruksel në Konferencën e 6-të ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, (16 shtator) Shqipëria çeli 4 kapituj të grupkapitullit “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, duke e çuar në 24 numrin e grupkapitujve të hapur brenda 11 muajsh.