Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se të dielën në mbrëmje në 2571 vendvotime të rregullta është përmbyllur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për kryetar të komunave dhe votave të subjekteve politike nga zgjedhjet për kuvende komunale.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka thënë në një konferencë për media se procesi i numërimit të votave tashmë ka nisur, raporton KosovaPress.
Ai ka bërë të ditur se në 38 Qendra Komunale të Numërimit do të punohet në dy orare, ndërkaq KQZ ka emëruar më shumë se 520 ekipe të numërimit me mbi 2 mijë anëtarë dhe se numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve, do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve.
Sipas të dhënave preliminare të deritashme, Elezi ka thënë se në 54 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi, janë 2.119 zarfe me fletëvotime.
Ai tha se nga votimi jashtë Kosovës, nga tërheqja e dërgesave postare që është bërë nga 22 kuti postare, nga gjithsej 23, numri i zarfeve të supozuara me fletëvotime është 33.258.
Ai tha se procesi zgjedhor është zhvilluar i qetë dhe pa probleme që do të cenonte integritetin e procesit zgjedhor.