Dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mefail Bajqinovci dhe Arbër Rexhaj, kanë dhënë mendimet e tyre për formimin e qeverisë, derisa janë edhe dymbëdhjetë ditë para se të përfundojë afati kushtetues.
Deputeti Mefail Bajqinovci, ka thënë se duhet pritur deri më 26 tetor për të parë nëse partia do të sigurojë numrat për formimin e qeverisë.
“Unë mendoj që duhet me prit deri më datën 26 tetor, dhe të shohim se a i kemi numrat a jo… Orët kanë nis me shku dhe presim deri me 26 tetor. Dhe është në diskrecionit të kryeministrit, të shohim se kushdo do të jetë. Unë mendoj që edhe individualisht edhe me Nismën bisedime dhe të shohim si do të përfundoj”, ka thënë ai.
Ndërsa, deputeti Arbër Rexhaj, ka deklaruar se partia e tij mbetet e përkushtuar për formimin e qeverisë, por, sipas tij, është e gatshme të shkojë në zgjedhje në rast se kjo nuk ndodh.
Në Debat Plus, Rexhaj theksoi se zgjedhjet nuk janë qëllim, por mundësi e fundit nëse nuk sigurohet shumica e nevojshme parlamentare.
Sipas tij, Vetëvendosje tashmë ka shumicën e votave nga deputetët e komuniteteve që përkrahin Kurtin, çka e bën këtë subjekt politik alternativën e vetme për formimin e qeverisë.
“Kemi thënë që zgjedhjet janë zgjidhja e fundit. Mirëpo meqë keni mund me pa deklaratën e kryeministrit Kurti, ku thotë se nëse nuk e bëjmë ne qeverinë, shkojmë në zgjedhje. Jo në kuptimin arrogant, as në kuptimin që patjetër ne duhet me bë. Mirëpo në kuptimin e asaj që nuk ka konstelacion tjetër, pra të përbërjes së qeverisë. Pos të LVV e cika e ka shumicën të pjesës së deputetëve që i përfaqësojnë minoritetet, që janë së bashku me kryeministrin Kurti. Dhe në këtë kuptim LVV-ja është e gatshme për zgjedhje qoftë menjëherë. Mirëpo synojmë që ta bëjmë qeverinë…”, ka thënë Rexhaj.