storm•/Bashkimi Evropian: Bashkimi Evropian ka shpallur se Serbia ka shkelur detyrimet e saj nga dialogu me Kosovën, pas miratimit të një projektligji për juridiksionin gjyqësor serb në Kosovë dhe shpalljes së Kosovës si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale.”
Qeveria serbe njoftoi se ka aprovuar projektligjin për organizimin e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale në Kosovë. Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massralli, e kritikoi këtë veprim si shkelje të qartë të obligimeve nga dialogu. Ajo theksoi se Serbia duhet të respektojë të gjitha marrëveshjet e arritura që nga fillimi i dialogut në vitin 2011, si pjesë e përpjekjeve për integrim evropian.
Massralli i bëri thirrje Serbisë të rishqyrtojë projektligjin, i cili synon krijimin e një prokurorie speciale për ndjekjen penale të atyre që persekutuan popullatën serbe në Kosovë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi Serbinë për shkeljen e marrëveshjeve dhe integritetit territorial të Kosovës, duke thënë se ajo po bllokon normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.
Pavarësisht marrëveshjeve të arritura për gjyqësorin në vitin 2015 dhe 2017, shumë pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, për shkak të pakënaqësisë me vendimet e Qeverisë.
Në përgjigje, Qeveria e Kosovës ka marrë masa për të forcuar autoritetin e saj në veri, duke hequr dinarin serb nga përdorimi dhe mbyllur strukturat paralele serbe. Kjo e detyroi Beogradin të njoftojë krijimin e një prokurorie speciale për Kosovën si mbrojtje të “interesave jetike kombëtare.”
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se kjo prokurori do të ndjekë ata që persekutuan popullatën serbe, por se masa do të jetë përkohshme deri në respektimin e marrëveshjeve të Brukselit.