spot_img
E shtunë, 18 Tetor, 2025
19:30
HomeKosovaDrejtësiaZgjimi i ndërgjegjes kombëtare në Tiranë, UÇK nuk mund të harrohet!

Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare në Tiranë, UÇK nuk mund të harrohet!

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Sot, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë do të mbahet një protestë gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Protesta është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe ka për qëllim të kërkojë drejtësi për të akuzuarit dhe të mbrojë vlerat e luftës çlirimtare.

- Advertisement -

Gazmend Syla, nënkryetar i OVL-UÇK-së, vlerësoi se kjo pritet të jetë një nga protestat më të mëdha që nga përfundimi i luftës, duke theksuar mobilizimin e gjerë në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë.

“Deri tani kemi të konfirmuar mbi 70 autobusë që do të nisen nga Kosova, ndërsa shumë pjesëmarrës do të udhëtojnë edhe me automjete private. Ka pjesëmarrje të paralajmëruar edhe nga Maqedonia e Veriut, nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe nga mërgata shqiptare”, tha Syla.

- Advertisement -

Sipas tij, protesta synon të dërgojë një mesazh të fuqishëm ndaj bashkësisë ndërkombëtare lidhur me, siç u shpreh ai, “humbjen e kredibilitetit të Gjykatës Speciale”, e cila sipas organizatorëve, ka devijuar nga mandati i saj fillestar për drejtësi.

“Tirana është gurthemeli i UÇK-së. Këtu janë vendosur lidhjet e para të themeluesve. Kjo është arsyeja pse zëri ynë nga këtu ka më shumë jehonë,” shtoi Syla.

Në mbështetje të protestës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë ka vendosur që Rruga e Kombit të jetë pa pagesë për 24 orë, për të lehtësuar qarkullimin e pjesëmarrësve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare.

Protesta ka marrë mbështetje të gjerë nga organizata të dala nga lufta. Këshilli Koordinues i Shoqatave të Luftës ka deklaruar përkrahje të plotë, duke theksuar se protesta është reagim i drejtë ndaj asaj që ata e cilësojnë si “padrejtësi ndaj çlirimtarëve të Kosovës”.

“Nëse ka drejtësi, krerët e UÇK-së do të lirohen dhe do të kthehen faqebardhë. Është koha që kjo re e zezë mbi Republikën e Kosovës të përfundojë,” deklaroi Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kosovës.

Ndërkohë, edhe Shoqata e të Burgosurve Politikë, përmes kryetarit Shefik Sadiku, ka bërë thirrje për transparencë nga Gjykata Speciale dhe për përfundimin sa më të shpejtë të mandatit të saj.

“Mbështesim protestën në Tiranë dhe çdo përpjekje për të mbrojtur vlerat e luftës sonë çlirimtare. Gjykata duhet të shmangë çdo padrejtësi të mëtejshme,” tha Sadiku.

Pjesëmarrësit pritet të vijnë nga të gjitha trevat shqiptare dhe mërgata, në një tubim që synon të përcjellë unitet kombëtar dhe kërkesë të qartë për drejtësi në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat