spot_img
E mërkurë, 22 Tetor, 2025
11:09
HomeKosovaGjenden mbetjet mortore të 4 personave, Hoti: Serbia ka bërë krime që...

Gjenden mbetjet mortore të 4 personave, Hoti: Serbia ka bërë krime që mendja e njeriut pak i kupton

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Janë gjetur mbetjet mortore të katër personave, që dyshohen të jenë të personave të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti ka thënë se gërmimet janë bërë në 24 lokacione dhe se këto nuk janë të vetmet për këtë vit, për çka pati një sqarim duke thënë se jo medoemos në lokacione ku gërmohet ka persona të zhdukur.

- Advertisement -

“Brenda këtij viti kemi gërmuar apo hulumtuar 24 lokacione në territorin e Republikës së Kosovës pa e përfshi territorin e Serbisë, pasi e dini që jemi në Kozhle. Nga 24 lokacione ne kemi arritur me i gjetë mbetje mortore të personave që potencialisht mund të jenë nga lista e personave të zhdukurve në 12 lokacione. Kjo nuk do të thotë që patjetër këta persona janë persona të zhdukur. Këtë e thotë patjetër vetëm kur vjen raporti i ADN-së. Lokacioni i fundit i 24 që sot po gërmohet, nuk është i fundit për këtë vit, vjen si rezultat i disa analizave dhe raporteve edhe një bashkëpunimi të mirëfilltë që kemi me organizatat ndërkombëtare dhe Kryqin e Kuq. Në këtë lokacion kemi arrit me i gjetë, mbetjet mortore të 4 personave. Po lutem me gjetë mirëkuptimin e qytetarëve, familjarëve dhe juve (gazetarëve)sot në mëngjes pas një raportimi që ka ndodhur për këtë. Sot në mëngjes më kanë thirr dy familjarë të shqetësuar tej mase. Me pyetje a është prindi im, a është gjyshi im, apo vëllai im. Këto raportime në media, natyrisht që janë në anën tuaj profesionale por po ngrisin shqetësime te familjarët. Edhe unë jam familjarë, ju lutem së pari familjarëve, qytetarëve dhe juve, që asnjëherë në radhë të parë mos të merret gjithsesi që në atë lokacion ka persona  të zhdukur. Mbi 2500 lokacione i kemi gërmuar në Kosovë”, tha Hoti.

Hoti ka thënë edhe se Serbia ka bërë krime të shumëfishta në Kosovë aq sa mendja e njeriut nuk e kupton.

- Advertisement -

“Serbia ka ditë me bo krime të shumëfishta në Kosovë që mendja e njeriut pak i kupton. Ka vra njerëz, po e marrë shembull në Prizren i ka varros në Prishtinë e më pas i ka dërgu në Serbi. Mos të krijohet një shqetësim se ndoshta e gjetën familjarin tim. Le të presin sepse janë disa muaj në pritje që bëhen ekspertizat”, theksoi Hoti.

Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka treguar për gërmimet që po bëhen në një lokacion në Hajvali e ku tha se aty ishin bërë gërmime edhe më parë.

“Edhe në këtë rast, ku pacientë të spitalit të Prishtinës, viktima të luftës janë bartur gjatë kohës së luftës në këtë hapësirë, në këtë lokacion. Dhe mungesa e informacionit të besueshëm në raste të tilla gjithmonë është sfiduese, sepse mundësi edhe, po them, me evitu çdo gabim. Këtë lokacion jemi rikthyer, kjo do të thotë se ky lokacion është trajtuar më parë, trajtimi i parë ka ndodhur muajt e parë të pasluftës, tetor të ’99-tës, dhe në bazë të këtyre të dhënave dhe bazë të të dhënave të arkivave ndërkombëtare, falë mbështetjes edhe të partnerëve ndërkombëtarë, të dhëna këto të shqyrtuara, kemi konkluduar që ne duhet të kthehemi në këtë lokacion meqë qysh në tetor të ’99-tës po flasim për 8 trupa që janë gjetur dhe zhvarrosur, një identifikim që ka ndodhur në atë kohë, dhe pastaj mbete me prioritet ose pjesë e agjendës edhe përpjekja për gjetjen dhe zhvarrosjen edhe të 7 kufomave, ose 7 trupave, ose në këtë rast 7 viktimave të luftës, disa prej të cilave potencialisht mund të jenë në listën e personave të zhdukur. Deri më tani po flasim për gjetjen e 4 kufomave,” tha ai.

Më tej ai tha se “Rasti në fjalë, në bazë të kësaj analize, po flasim për viktimat e luftës nga spitali i Prishtinës, që pastaj nga forcat serbe kufomat e të cilëve janë bartur në këtë lokacion”.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, teksa tregoi se katër persona janë zhvarrosur në lokacionin në Hajvali, tha se ka bazë mbi të cilën dyshohet se i përkasin luftës së fundit në Kosovë.

“Për punën e IML në këtë lokacion, siç u theksua, ne jemi këtu që nga dita e djeshme me një urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, duke u bazuar në një kërkesë të Prokurorisë për Krime të Luftës. Punimet kanë filluar dje, në bashkëpunim edhe me partnerët tanë. Jemi këtu që nga dita e djeshme dhe deri më tani mund t’ju informoj që kemi zhvarrosur 4 mbetje mortore, të cilat kemi bazë të dyshojmë se i takojnë periudhës së luftës së fundit. Mbetjet mortore do t’i dërgojmë në IML, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procesit të identifikimit. Sapo të përfundojnë gjitha këto procedura, nëse kemi identifikim pozitiv përmes metodave shkencore të ADN-së, do t’i njoftojmë familjarët dhe, në dakordim me ta, do t’ua dorëzojmë mbetjet mortore për ceremoninë e varrimit. Do ta kryejmë punën tonë në ekzaminimin e këtyre mbetjeve mortore në kuptim të përcaktimit të shkakut dhe mënyrës së vdekjes, në mënyrë që një raport ta dërgojmë edhe te Prokuroria Speciale për këtë rast,” tha ai.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat