Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, që do të garoj në balotazh kundër Gazmend Muhaxherit të LDK-së për të parin e Pejës, ka njoftuar se i ka ofruar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Ali Berishës, koalicion.
Kelmendi ka thënë se Peja nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga pazaret politike të ndërtuara mbi llogaritë e ngushta të pushtetit prandaj jemi transparent në këtë rrugëtim.
“Qyteti ynë meriton një qeverisje të përgjegjshme, me integritet dhe në shërbim të qytetarëve. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e gatshme të marrë përgjegjësi për Pejën dhe të vendosë në qendër punën, drejtësinë dhe qytetarin. Koha e varësisë nga pazaret e fshehta me Gorazhdecin dhe Listën Serbe duhet të marrë fund”.
Në ofertën e koalicionit, LVV i ka ofruar AAK-së, marrëveshje për prioritizimin e projekteve për katër vitet e ardhshme, kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe 6 drejtori komunale.
Kujtojmë se pak ditë më parë mediat publikuan një foto nga takimi i Kelmendit me deputetin e AAK-së, Bekë Berisha.



