Policia Britanike e Transportit ka përjashtuar terrorizmin si një motiv pas incidentit me thikë në tren të shtunën në mbrëmje, i cili plagosi 11 persona, nëntë prej të cilëve janë gjendje kritike.
Hetimet ndaj dy të dyshuarve të arrestuar janë duke vazhduar për të zbuluar motivet e sulmit.
“Rreth orës 19:42 të mbrëmjes së djeshme, pati telefonata në shërbimin policor në lidhje me disa sulme me thikë, të cilat ndodhën në një tren që u nis nga Doncaster në orën 18:25 dhe ishte në rrugë për në stacionin e King’s Cross në Londër”, tha John Loveless i Policisë Britanike të Transportit.
“Oficerët mbërritën menjëherë në stacionin e Huntingdon së bashku me ndihmësit mjekësorë, ku oficerë të armatosur të policisë së Cambridgeshire hipën në tren dhe arrestuan dy persona. Brenda tetë minutash nga thirrja në 999, dy burra u morën në paraburgim, ku mbeten edhe sot në mëngjes”.
Të dyshuarit u identifikuan si dy meshkuj, shtetas britanikë të lindur në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët u arrestuan në stacionin Huntingdon, ku treni bëri një ndalesë emergjente dhe ku menjëherë ndërhynë policia e armatosur.
“Këta janë, mashkulli i parë, një mashkull 32-vjeçar me kombësi të zezë britanike, dhe një burrë 35-vjeçar, me kombësi britanike, me prejardhje nga Karaibet. Të dy u arrestuan me dyshimin për tentativë vrasjeje. Të dy kanë lindur në Mbretërinë e Bashkuar”, shtoi Loveless.



