Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, e ka nominuar për kryeministër, Glauk Konjufcën.
Sipas Haradinajt, presidentja Osmani s’mund ta mandatojë Konjufcën, derisa nuk deponohen 61 nënshkrimet e deputetëve të cilët e votojnë Qeverinë e re.
Kreu i AAK-së thotë se Osmani do të bënte shkelje të rëndë kushtetuese, nëse e mandaton Konjufcën pa e pasur një garanci të tillë.
Postimi i plotë:
Afati kushtetues për votimin e qeverisë përfundon nesër dhe presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme.
Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike.
Kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.



