Demokracia në Veprim, ka njoftuar se përmes ekipeve të saja, do të angazhohet ditën e nesërme për të vëzhguar procesin zgjedhor.
Nga DNV, është vlerësuar se pjesëmarrja e qytetarëve në votim nesër, është thelbësor për të siguruar që drejtimi i komunave të reflektojë vullnetin dhe interesat e banorëve.
Më tej, nga DNV, është bërë thirrja drejtuar partive politike, përfshirë këtu edhe kandidatëve e mbështetësve të tyre që të respektojnë rregullat dhe standardet zgjedhore.
Komunikata e plotë:
Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, që do të mbahet nesër, më 9 nëntor 2025, Demokracia në Veprim (DnV), përmes disa ekipeve monitoruese nëpër komuna, do të angazhohet në vëzhgimin e procesit zgjedhor për të kontribuar për një proces zgjedhor të qetë, të rregullt dhe demokratik.
Kryetarët që do të zgjidhen nga ky proces do të udhëheqin komunat për katër vitet e ardhshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve përmes shërbimeve publike, zhvillimit urban, arsimit, mirëqenies sociale dhe prioriteteve zhvillimore në komunitetet lokale. Për këtë arsye, pjesëmarrja e qytetarëve në votim është thelbësore për të siguruar që drejtimi i komunave të reflektojë vullnetin dhe interesat e banorëve.
DnV u bën thirrje subjekteve politike, përfaqësuesve të tyre, kandidatëve dhe mbështetësve në terren që të respektojnë rregullat dhe standardet zgjedhore, duke shmangur çdo formë ndërhyrjeje apo ndikimi të paligjshëm në procesin e votimit.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të garantojë organizim dhe menaxhim të rregullt e transparent të procesit, si dhe institucioneve përgjegjëse për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë ditës së zgjedhjeve që të mundësojnë një ambient të qetë dhe të sigurt, ku qytetarët mund të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar lirshëm dhe pa presion.
Zgjedhjet përbëjnë një moment kyç të pjesëmarrjes publike dhe të llogaridhënies demokratike, dhe roli i secilit qytetar është i rëndësishëm në forcimin e procesit dhe institucioneve të vendit.



