Një tërmet i fuqishëm tronditi Japoninë, i ndjekur nga disa lëkundje të tjera, njoftoi Agjencia Meteorologjike e Japonisë.
Tërmeti, me një magnitudë paraprake prej 6.7 ballë, goditi brigjet e prefekturës Iwate në një thellësi prej 10 kilometrash nën sipërfaqen e detit, rreth orës 5 pasdite sipas kohës japoneze.
Nuk pati raportime të menjëhershme për lëndime ose dëme, ose ndonjë raport për anomali në dy centralet bërthamore në zonë.
Agjencia lëshoi një paralajmërim për një cunami deri në 1 metër përgjatë rajonit bregdetar verior. Njoftimi mbeti në fuqi një orë pas tërmetit fillestar.
Transmetuesi publik NHK paralajmëroi njerëzit të qëndrojnë larg zonave bregdetare për shkak të rrezikut të cunamit dhe paralajmëroi se mund të ketë më shumë dridhje në zonë.
Një cunami me përmasa rreth 10 centimetra u zbulua në qytetin Ofunato në prefekturën Iwate, portin Ominato, Miyako dhe Kamaishi, dhe më pas deri në 20 centimetra në zonën bregdetare të Kuji, tha NHK.
Valët e cunamit që vijnë pas tërmeteve mund të vazhdojnë për disa orë më pas, duke goditur bregdetin në mënyrë të përsëritur, dhe ndoshta mund të bëhen më të forta me kalimin e kohës. Gjithsesi, tërmete të tjera, të cilat mund të jenë pasgoditje, po vazhdonin në prefekturën Iwate.
Trenat e shpejtë në zonë u vonuan përkohësisht, sipas operatorit hekurudhor JR East.
Tërmetet kishin shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, tha Kyodo News.
Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së dha magnitudë paraprake për tërmetin fillestar në 6.8.
Japonia, e cila ndodhet në “unazën e zjarrit” të Paqësorit, është një nga vendet më të prirura ndaj tërmeteve në botë.
Zona pësoi një tërmet dhe cunami vdekjeprurës në mars të vitit 2011.



