spot_img
E enjte, 20 Nëntor, 2025
14:07
HomeShëndetiNuk ka lidhje mes paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rrezikut për autizëm te...

Nuk ka lidhje mes paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rrezikut për autizëm te fëmijët

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Një rishikim i gjerë shkencor i publikuar në British Medical Journal ka hedhur poshtë pretendimet se përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë mund të rrisë rrezikun që fëmijët të zhvillojnë autizëm ose çrregullim të hiperaktivitetit me deficit vëmendjeje (ADHD).

Publikimi u përshpejtua pas deklaratave të administratës së Donald Trump, e cila kishte paralajmëruar gratë shtatzëna të shmangnin përdorimin e këtij ilaçi, të njohur edhe si acetaminofen ose Tylenol, duke e lidhur atë me rritjen e rasteve të autizmit në SHBA-të.

- Advertisement -

Në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë në shtator, presidenti amerikan u kërkoi grave që “të luftonin me çdo kusht për të mos marrë” paracetamol gjatë shtatzënisë, duke nxitur shqetësim në komunitetin mjekësor.

Çfarë zbuloi studimi?

- Advertisement -

Sipas rishikimit të publikuar nga një grup shkencëtarësh në Universitetin e Liverpoolit, nuk ka prova të besueshme që lidhin paracetamolin me autizmin apo ADHD.

Analiza përfshiu nëntë rishikime sistematike që mbulonin 40 studime vëzhguese mbi përdorimin e këtij ilaçi gjatë shtatzënisë dhe efektet e tij të mundshme në zhvillimin neurologjik të fëmijëve.

Sipas profesoreshës Shakila Thangaratinam, obstetër dhe autore kryesore e studimit, cilësia e shumicës së këtyre rishikimeve ishte “e ulët ose kritikisht e ulët”.

Ajo theksoi se çdo lidhje e dukshme midis paracetamolit dhe autizmit “ka shumë gjasa të shpjegohet nga faktorë gjenetikë familjarë ose gjendje shëndetësore ekzistuese të nënës, dhe jo nga vetë ilaçi”.

“Gratë duhet të dinë se provat ekzistuese nuk mbështesin një lidhje reale midis paracetamolit dhe autizmit apo ADHD”, tha Thangaratinam për The Guardian.

“Nëse një grua shtatzënë ka ethe ose dhimbje, ne rekomandojmë përdorimin e paracetamolit, pasi ethet e larta mund të jenë shumë të rrezikshme për beben”.

Alternativa si ibuprofeni, kujtoi ajo, nuk rekomandohen gjatë shtatzënisë.

Faktorët familjarë dhe gjenetikë në qendër të vëmendjes

Një nga analizat e përfshira në rishikim, që mbulonte 2.4 milionë fëmijë në Suedi, kishte gjetur fillimisht një lidhje të lehtë midis përdorimit të paracetamolit dhe diagnozave të autizmit, ADHD-së dhe paaftësisë intelektuale.

Por, kur studiuesit krahasuan vëllezërit dhe motrat e ekspozuar dhe jo të ekspozuar ndaj ilaçit, efekti u zhduk.

Kjo sugjeron se faktorët gjenetikë dhe kushtet shëndetësore të përbashkëta brenda familjeve mund të jenë përgjegjës për çdo rrezik të perceptuar.

“Nëse ka histori familjare të autizmit ose ADHD-së, kjo ka më shumë gjasa të jetë arsyeja për diagnozën, dhe jo fakti që nëna ka marrë paracetamol gjatë shtatzënisë”, shtoi Thangaratinam.

Mesazh sigurie për nënat

Rezultatet, sipas autorëve, duhet të japin siguri për gratë që ndihen në faj për përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë.

“Nuk duam që një nënë të mendojë se fëmija i saj është autik për shkak të diçkaje që ajo ka bërë gjatë shtatzënisë”, theksoi Thangaratinam.

“Nuk ka asgjë në provat aktuale që të sugjerojë se paracetamoli është shkak i autizmit apo ADHD-së”.

Profesori Dimitrios Siassakos, obstetër në University College London, e mbështeti këtë qëndrim, duke e cilësuar paracetamolin si “ilaçin më të sigurt për përdorim gjatë shtatzënisë”.

“Përdorimi i paracetamolit është praktikë e zakonshme në mbarë botën dhe nuk ka treguar asnjë ndikim negativ në zhvillimin neurologjik të fëmijëve”, tha ai. “Në fakt, mos trajtimi i etheve dhe inflamacionit mund të jetë më i dëmshëm për foshnjën”.

Studimi hedh dritë mbi një debat që është bërë politik, por që në thelb është çështje shkencore.

Mesazhi përfundimtar është i qartë, gratë shtatzëna mund të përdorin paracetamol në mënyrë të sigurtë për të trajtuar dhimbjen apo ethet, gjithmonë nën kujdesin e mjekut, pa frikën se po rrezikojnë shëndetin mendor të fëmijës së tyre.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat