Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill, vazhdon sot dëshminë në Gjykatën Speciale, duke filluar nga ora 09:00. Ai nisi dëshminë dje dhe është dëshmitari i radhës i mbrojtjes së Hashim Thaçit. Deri më tani, Hill është dëshmitari i pestë i paraqitur nga ekipi i mbrojtjes në gjykimin “Thaçi dhe të tjerët”.
Christopher Hill dje gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se në çështjen e Kosovës ishte angazhuar nga SHBA-të në maj të vitit 1998 nga Madeleine Albright, të cilës i raportonte. Ai tha se kuptonte rolin e tij si diplomat që duhej të ofronte mbështetje ose zgjidhje politike për të ndalur dhunën në Kosovë.
Hill tregoi se me kolegët e Departamentit të Shtetit kishin punuar për një plan autonomie që do t’i kthente Kosovës vetëqeverisjen.
Dëshmia e tij u dha në përgjigje të pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit, të përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.
Hill tha se si diplomat në Maqedoni dhe Shqipëri, Kosova ishte një temë e madhe, por jo e vetmja në Ballkan, pasi kishte edhe luftëra në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci.
Ai theksoi se deri në maj 1998 nuk e kishte vizituar Kosovën dhe se në bisedimet e Dejtonit fokusi ishte përfundimi i luftës në Bosnjë, por Kosova përmendej nga amerikanë me prejardhje kosovare që kërkonin zgjidhje.
Hill shtoi se kishte biseduar për Kosovën edhe me Sllobodan Millosheviqin, duke theksuar se e dinin që Kosova do të ishte çështja tjetër pas Bosnjës.
Tutje në pyetjen e Mishetiqit se në palën kosovare a keni gjetur ndonjë emër që mund të fliste me autoritet në emër të shqiptarëve të Kosovës, Hill e përshkroi situatën në Kosovë si shumë sfiduese, duke theksuar vështirësinë për të gjetur bashkëbisedues me autoritet politik.
“Ka qenë një sfidë e madhe, në disa momente ishte ndërmarrje e vështirë të gjendeshin njerëz që flisnin me autoritet. Çdokush kishte një mendim lidhur me të, por problemi ishte të gjendej dikush që kishte autoritet. Një prej personave të tillë ishte kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili kishte pozitë udhëheqëse në Kosovë,” tha Hill.
Kurse në pyetjen e avokatit Mishetiq se kush është takuar me UÇK-në për herë të parë në emër të shteteve të Bashkuara të Amerikës ai tha se me UÇK ishte pamundësia për të zgjedhur një lider udhëheqjeje. Për të gjetur njerëz që mund të flisnin me autoritet.



