Dhjetëra protestues kanë hyrë me forcë në vendin ku po mbahet samiti i klimës COP30 dhe janë përleshur me rojet e sigurisë në hyrje.
Turmat kërkuan qasje në kompleksin ku mijëra delegatë nga vende të ndryshme të botës po marrin pjesë në konventën e OKB-së të këtij viti në Belem të Brazilit.
Disa valëvitnin flamuj me slogane që bënin thirrje për të drejtat e tokës ose mbanin pankarta që thoshin “toka jonë nuk është në shitje”.
Një udhëheqës indigjen nga komuniteti Tupinamba, i cili jeton pranë pjesës së poshtme të lumit Tapajos në Brazil, i tha Reuters se ishin të shqetësuar për zhvillimet e vazhdueshme në pyllin tropikal të Amazonës.
Raportohet se rojet e sigurisë i shtynë protestuesit prapa dhe përdorën tavolina për të bllokuar hyrjen.
Një zëdhënës i OKB-së tha se dy anëtarë të stafit të sigurisë u lënduan gjatë përleshjeve.
COP30, e cila filloi më 10 nëntor dhe përfundon më 21 nëntor, vjen në një kohë të pasigurt për veprimet klimatike.
Konferenca është pritur me polemika për vendndodhjen e saj në Belem, në periferi të Amazonës.



