Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u çel sot Panairi i Librit Tirana 2025.
Në ceremoninë e nisjes së këtij edicioni të 28-të ishin të pranishëm Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Ina Zhupa, kryetare e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës; drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli, Alessandro Ruggera, drejtori i Institutit Italian të Kulturës; Enkel Demi i njohur edhe me emrin e penës Tom Kuka, i shpallur si autori më i mirë i edicionit të mëparshëm, Milena Selimi, e shpallur si përkthyesja më e mirë e panairit të vitit 2024.
Kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Ymeri tha se sot kemi një letërsi shqipe që po jep vepra shumë të mira që mirëpriten nga lexuesit dhe ky është një gëzim madh për botuesit. Por ai renditi edhe disa problematika.
Ymeri tha se, “nuk është dita për t’u ankuar, por botuesit kanë probleme të mëdha të punës me librin, duke filluar që nga pirateria digjitale dhe ajo në shtypshkrime, bibliotekat që janë në situatë katastrofike si dhe numri në rënie i librarive”.
“Shqipëria ende nuk ka hyrë në Evropë, por ne botuesit shqiptarë jemi në Evropë prej shumë e shumë vitesh. Jo vetëm me veprat që botojmë, jo vetëm me kryeveprat që përkthehen nga shumë gjuhë evropiane e përtej, por ne jemi pjesë e Evropës edhe me projektet evropiane më të rëndësishme të librit”, tha Petrit Ymeri.
Ndërsa deputetja e PD-së, Ina Zhupa, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Kulturës, u angazhua për të filluar një seri dëgjesash me botuesit, përkthyesit, librarët e shkrimtarët.
“Do të bëj më të mirën dhe për atë që ka ardhur në Kuvend si një draft për Ligjin e Librit, i cili deri tani paraqet shumë probleme dhe nuk zgjidh atë që duhet të jetë synimi. Synimi i ligjit duhet të jetë që librin ta afrojë te lexuesi, të mbështesë botuesit dhe të na bëjë secilin prej nesh pjesë të kulturës kombëtare sa herë që takojmë një libër”, u shpreh Zhupa.
Shoqata e Botuesve Shqiptarë e konsideron këtë panair si ngjarjen më të madhe të librit në vend, dyert e të cilit do të qëndrojnë të hapura deri në mbrëmjen e 16 nëntorit. Tema e përzgjedhur për edicionin e këtij viti është një shprehje e të madhit Kadare: “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”.
Ashtu si vitet e tjera, panairi do të ketë një kënd për biseda me shkrimtarë, përkthyes, botues e kritikë, në katin e dytë të Pallatit të Kongreseve ku është vendosur “Sofaja e librit”.
Juria e Panairit këtë vit përbëhet nga: Elsa Skënderi Rakipllari, Beti Njuma, Maniela Sota, Teuta Dhima dhe Zija Vukaj.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve të panairit do të mbahet në datën 15 nëntor. /atsh



