PËRMBLEDHJE / Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, Wesley Clark, ka përfunduar dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë.
Gjenrali Clark në fund të dëshmisë kërkoi të shprehte diçka nga perspektiva e tij.
Duke marrë shembull revolucionin amerikan disa herë, gjenerali Clark tha se jemi në një epokë ku ka forca të mëdha që përpiqen qeveritë e ndryshme që prej Luftës së Dytë Botërore të krijojnë sisteme të bazuar në rregulla që ka funksionuar deri në një masë por nuk ka funksionuar tërësisht dhe pas rënies së Murit të Berlinit dhe hapjes së Lindjes, ku u shpërbë Jugosllavia dhe personat në Jugosllavi kërkuan liri sikurse Perëndimi.
“Sigurisht që kjo ka filluar me Monarkinë e Absburgëve dhe sovjetikëve dhe kemi aktualisht situatën në Ukrainë. Nuk po përpiqen të jem i pasjellshëm, sepse proceset penale janë të rëndësishme, por duhet të ketë një kufi sa i takon rendit. Pra ka rend por personat duhet të përpiqen të luftojnë për të drejtat e tyre dhe këtë u përpoq të bënte UÇK-ja në fillimin e viteve ’90-ta, kur thjeshtë nuk pranuan shtypjen prej serbëve dhe bën të pamundurën për të rezistuar shtypjen prej serbëve. Pra ata nuk janë terrorist, pavarësisht se kur shkova të takoja gjeneralët serbë, më thanë se ata janë terroristë”, tha gjenerali Clark.
Ai më tej shtoi se ata (UÇK-v.j.) nuk janë terroristë.
“Ata janë njerëz që luftonin kundër një regjimi të padrejtë, jashtëligjshëm, i cili meritonte të largohej e të zëvendësohej. E njëjta gjë po ndodhë aktualisht në Ukrainë dhe mund të vazhdojë edhe më tej dhe mendoj se kjo është e vështirë për jurisprudencën e gjykatave aktualisht. Këtu kemi persona që luftuan për lirinë e tyre”, deklaroi Clark.
Sipas tij, ligjet, procedurat e shoqërive moderne duhet t’i kuptojnë edhe nevojat e personave që luftojnë për lirinë e tyre dhe për dinjiteti e tyre.
“E kam ndjekur këtë gjykim dhje kam bindjen që kam pasur edhe me herët se Hashim Thaçi nuk është përgjegjës për atë që ka ndodhur në Kosovë”, tha gjenerali Clark në fund të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale.
Clark për trafikim organesh: Dezinformatë ruse
Lidhur me akuzat se UÇK-ja kishte bërë trafikim organesh, Clark tha se ishte thjesht dezinformim, teksa në pyetjet plotësuese nga pala mbrojtëse Clark u shpreh se kishte ndjesinë se kishte prova konkrete për këtë akuzë. “Po në fakt kishte qenë fushatë dezinformimi”.
Ai shtoi se kjo akuzë ishte qesharake , në një kohë “fushatë ajrore bombardimesh hiqeshin organet e njerëzve dhe shiteshin”. Sipas tij, kjo nuk kishte kuptim. Clark precizoi se këtë fushatë dezinformimi e kishin nisur personat që i kishin dhënë një libër në vjeshtën e ’98-tës, të cilët ishin rusë.
Gjenerali Clark: Thaçi nuk ka pasur kontroll mbi organizatën
Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, Wesley Clark, po vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në Gjykatën Speciale.
Lidhur me hierarkinë ushtarake në strukturën komanduese, Clark tha se gjeneral Çeku ka qenë personi përgjegjës.
Akuza kundrejt Thaçit në këtë proces është pjesërisht relevante, sepse “si komandant strategjik, asnjëherë nuk kemi pasur mundësi që të bëjmë kërkime dhe që të na vërtetohet ky qëndrim”.
“Thaçi, thjeshtë rezultoi që të ishte person ambicioz, person i artikuluar, i prezentueshëm, por sa i takon kontrollit, pa diskutim që nuk ka pasur kontroll, absolutisht jo, sepse këta elementë nuk kishin atë lloj strukture që do t’i kishte një organizatë normale, bëhej fjalë për grupe e persona që po luftonin për mbijetesën e tyre. Nuk ekzistonin asnjë lloj letre ku shkruheshin gjërat ”, tha Clark.
Clark: Thaçi e vetmja pikëlidhje për ne
Në pyetjet nëse ishte takuar me Hashim Thaçin në Bruksel, Wesli Clark tha se nuk i kujtohej të kishte takuar në kohën e sulmeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë. Clark më tej sqaroi se procesi (i bombardimeve) ka qenë dinamik që nga fillimi dhe lista e objektivave të sulmit ka qenë e kufizuar…dhe nuk konsideroheshin vendimtare kundër qeverisë në Beograd.
“Ne, për t’i luftuar forcat serbe kishim nevojë për informacione në kohë reale, na duheshin burime.. për këtë arsye u takova me Thaçin në prill në zyrat e mia dhe nuk është ese më ka lënë ndonjë përshtypje, por përgjigja nuk ishte e suksesshme”, tha Clark, teksa shtoi se Thaçi ishte e vetmja pikëlidhje që kishim ne.
Clark: Nuk kam prova që UÇK-ja ishte prapa dëbimit të serbëve nga Kosova
Gjatë pyetjeve lidhur me pretendimet se UÇK-ja ishte organizatë terroriste, Clark u përgjigj se kush lufton kundër shtypjes shpesh shihet si hero.
“Jo, kjo nuk është e saktë. Për këtë arsye fola me Thaçin dhe i kërkova të na ndihmonte. Ishim në një pikë kritike të historisë, vlerave dhe demokracisë. Kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, ata kalojnë nga të qenit terroristë, apo luftëtarë lirie, në një moment kur konsensusi pranon se ata kanë të drejtë të rezistojnë presionin. Dhe kjo është e nënshkruar në Deklaratën Amerikane të Pavarësisë”, tha Clark.
Gjatë pyetjeve të prokurorit Matt Halling, Clark deklaroi se nuk ka prova që UÇK-ja ka qenë prapa spastrimit etnik të serbëve.
“Unë nuk kam prova dhe dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj dhe kam indikacione që provojnë të kundërtën. Po i referohem deklaratës ku pretendohet se 170 mijë serbë të jenë dëbuar nga Kosova”, tha Clark.
Ai e bëri këtë deklaratë pasi prokurorit Halling iu paraqit një dokument me një intervistë të publikuar në një gazetë, ku pretendohej se rreth 170 mijë serbë ishin dëbuar nga Kosova dhe se pas kësaj qëndronte UÇK-ja.
Dëshmitari përsëriti se dhuna e vitit 1999 ishte më shumë rezultat i veprimeve personale dhe jo i një fushate të orkestruar. Për të diskutuar një çështje konfidenciale, seanca vazhdoi me dyer të mbyllura për publikun.
Clark: Rusia orvatej për të diskredituar operacionin e NATO-s në Kosovë
Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, Wesley Clark, po vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në Gjykatën Speciale.
Clark ka folur për përfundimin e luftës në Kosovës, me ç’rast ka përmendur edhe rolin negativ të Rusisë e cila kishte qëllim që të diskredonte operacionin e NATO-s në Kosovë.
“Isha i shqetësuar se ishte përgjegjësi e imja. Se kur përfundoj ky konflikt përfundoj me orvatjet e Rusisë për të diskredituar dhe për të shkatërruar operacionin e NATO-s. Ne asnjë herë se kemi zbuluar deri në fund të vërtetën pas rastit të aeroportit. Ne e dinim që gjeneral-koloneli Ivanov që ishte një prej udhëheqësve të asaj kohe është dekoruar nga Kremlini për këtë operacion i cili është konsideruar prej tyre si një sukses i jashtëzakonshëm. Por falë Majk Xhaksonit që ishte ne teren rusët ishin disi të kapur mat në aeroport e në mëngjesin e 11 qershorit ditë e premte ne filluam që të merrnim informacion që nuk bëhet fjalë vetëm për një batalion po bëhej fjalë për një planë të tërë të hollësishëm pas operacionit ku ideja e këtij divizioni rus të përgatitur ishte të hyjë në Kosovë”, tha ai.
Gjeneral Clark tha se ishte pjesë e përgjegjësive të tij si gjeneral që të merrte të gjitha përgjegjësit dhe të bënte të gjitha planifikimet e nevojshme në mënyrë të tillë që të sigurohej që Serbia nuk do të kthehej më në Kosovë.
“Për komandën e NATO-s ishte që ne do bënim çdo gjë që ishte e mundur që t’ia dilnim mbanë me operacionin tonë, që në fillim fare unë kam zbatuar ato zgjidhje që i kam nxjerr nga përvoja ime në Vietnam nga përvoja ime ushtarake nga Haiti nga operacionet në Bosnjë”, tha ai.
Gjenerali Clark tha se gjatë viteve të luftës në Kosovë, ishte i përgatitur për çdo sulm që forcat e regjimit serb mund të bënin ndaj popullit kosovar.
“Ne do të bënim çfarëdo që mundnim, për të arritur misionin tonë”, tha Clark. Pos tjerash, ai tha se në Kosovë, nuk kishte marrëveshje paqeje deri në shtator të vitit 1999, madje siç thotë Clark, një situatë e ngjashme vazhdoi deri në shpalljen e Pavarësisë së vendit në 2008-ën.
“Përgjegjësia ime ishte që ato forcat serbe të mos vinin më në Kosovë. Unë duhej të kisha një plan”, tha gjenerali amerikan. Clark gjatë dëshmisë, thotë se Sllodoban Millosheviq ishte një personazh dinak, por që sipas tij, Serbia nuk do të kthehej në Kosovë pas përfundimit të luftës.
Gjenerali Clark vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në Speciale
Gjenerali amerikan, Clark dje gjatë dëshmisë së tij ka folur për takimin që ka pasur me Hashim Thaçin gjatë negociatave në Rambuje. Ai tha se Thaçi nuk ishte komandanti ushtarak.
Clark, deklaroi se gabimet e tjerëve nuk duhet t’i atribuohen Hashim Thaçit. Për këtë të fundit ish-gjenerali i NATO-s, beson se nuk ka pasur kontroll mbi njerëz që kanë kryer akte dhune.
Gjenerali Clark pritet të jetë dëshmitari i fundit, pas së cilës procesi do të kalojë në fazën përfundimtare të përmbylljeve nga palët, përpara shpalljes së vendimit nga trupi gjykues.
Pas përfundimit të kësaj dëshmie, të mërkurën, më 19 nëntor, do të mbahet Konferenca për ecurinë e çështjes. Seanca e planifikuar paraprakisht për të premten, më 21 nëntor, është anuluar.



