Avokat i Popullit, Naim Qelaj ka shprehur shqetësimin në lidhje me shkeljet e vazhdueshme që po bëhen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), që po mbahen në Gjykatën Speciale.
Qelaj në një konferencë për media ka thënë se gjatë vizitës së tij të parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka takuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, e ku tha se komunikimi me ta ka qenë nën monitorim të plotë, dhe se kështu shkelet edhe e drejta e lirive të njeriut.
“Kemi zhvilluar një intervistë me zotin Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi. Ajo çfarë dua të them në këtë rast është që gjithë vizita dhe komunikimi me këta persona kanë qenë nën monitorim të plotë, në pamundësi për të marr shënime dhe në kushte që konsideroj që cenojnë rëndë pavarësinë dhe të drejtën që ka Avokati i Popullit si institucion kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të ketë qasje të papenguar në komunikim me personat që ndodhen në paraburgim. Natyrisht që këtë shqetësim unë do ta ngreh edhe në gjykatë edhe në mekanizmat tjerë ndërkombëtar “, tha Qelaj në konferencën për media.
Qelaj ka përmend edhe faktin se në Gjykatën Speciale mungon llogaridhënia dhe transparenca.
“Ajo që kemi vërejtur ne gjatë kësaj vizite është që gjithë procesi që po zhvillohet në këtë gjykatë përcillet me një mungesë të llogaridhënies dhe transparencës, shqetësim që është ngritur me palët që i kemi takuar dhe si rezultat i një mungese të tillë del që po cenohen parimet e kontrollit demokratik, gjë që rritë pasigurinë në publik dhe dëmton integritetin e gjykatës por edhe besimin publik në të”, deklaroi Qelaj.
Përveçse monitorohen vizitat, Qelaj tha janë vënë edhe kufizime kohore në vizitat e ish-krerëve të UÇK-së.
“Kemi vërejtur edhe kufizime të të drejtave të paraburgosurve brenda hapësirave të burgut, si në kohën ose orarin e kontaktimeve dhe vizitave familjare ashtu edhe në monitorimin e plotë të këtyre vizitave, duke cenuar parimin e privatësisë dhe jetës familjare dhe ajo që ne na del më shqetësuese për çka edhe do të kërkojmë përgjigje nga gjykata dhe autoritet përgjegjëse është fakti se vendimet për kufizimet e kësaj natyre janë në kohë të pacaktuar”, tha ai në konferencën për media.



