Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, i është drejtuar përkrahësve të LVV-së, duke u thënë se “fushata linçuese” që ata bëjnë me profile fallce nuk e ndalin atë, dhe se, të njëjtit i ka cilësuar si “mashtrues dhe shpifës”.
Bajrami i është drejtuar LVV-së, duke thënë ka pesë vite që i pret të përballen në cilëndo prej televizioneve, dhe se ata kurrë s’kanë pasur “kurajon ta lexoni drejtë marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit ku Albin Kurti ka vulosur tradhtinë kombëtare, mendoni se unë brengosem për shpifjet e juaja? Që ku po ju them: Jo, asnjë brengë nuk e kam!”.
Postimi i plotë:
FAKTET PO JU ÇMENDIN
Fushatat e juaja linçuese me profile FALLCE nuk më ndalin
Kam qenë pjesë e Qeverisë kur është nënshkruar Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.
Kam qenë pjesë e Qeverisë ku rritja ekonomike ka qenë afër 6 % dhe inflacioni është sjellë rreth zeros.
Kam qenë pjesë e Qeverisë e cila e ka shkarkuar ministrin Jabllanoviq të Listës Serbe.
Kam qenë pjesë e qeverisë që ka nënshkruar marrëveshje ekonomike në Shtëpinë e Bardhë dhe ka marrë njohje nga Izraeli.
Po, kam qenë pjesë e 3 qeverive dhe, pavarësisht gërmimeve të tokës e nëntokës së këtij pushteti, kurrë asnjë shkelje nuk është gjetur, sepse unë kam punuar me nderë dhe me përgjegjësi.
Ju mashtrues dhe shpifës, që kurrë nuk e patët kurajon ta lexoni drejtë marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit ku Albin Kurti ka vulosur tradhtinë kombëtare, mendoni se unë brengosem për shpifjet e juaja? Që ku po ju them: Jo, asnjë brengë nuk e kam!
Qe pesë vjet po ju pres të përballemi në cilëndo TV!
Sepse, e para, vij nga një familje që ka dhënë shumë për këtë vend dhe për të respektuar ata dhe veten tërë jetën time kam punuar me ndershmëri të cilën, pavarësisht përpjekjeve, kurrë makineria juaj propagandistike s’mund ta ndotë.
Ju sot, pas pesë vitesh në pushtet, të vetmen fjalë që keni është Lista Serbe dhe Serbia. Sepse keni dështuar në secilin sektor dhe jeni zhytur deri në veshë në korrupsion. Sikur të ishte ndryshe, ju temë diskutimi do t’i kishit sukseset e qeverisë jo shpifjet.
Pavarësisht koordinimeve dhe marrëveshjeve e dakordimeve me Radojqiqin, Lista Serbe nuk ju shpëton!
Për pesë vjet qeverisje:
A e keni lirë rrymën?
A e keni liru bukën, vajin, sheqerin?
A e keni luftu korrupsionin?
A i keni shti hajnat në burg apo jeni bërë streha me e sigurt e tyre?
Sa kontrata njëburimore i keni nënshkruar?
Cilat rrugë i keni ndërtuar? Për Gjilan, për Pejë, për Mitrovicë, për Podujevë?
Çka keni bërë për shëndetësi?
Çka për arsim?
Grantet?
Subvencionet?
Kush janë ata që nuk i përgjigjen Prokurorisë?
Kush janë ata që sulmojnë institucionet?
Merreni Albin Kurtin për dorën dhe caktojeni televizionin, kohën dhe moderatorin. Por, jeni frikacakë dhe ju çmendin faktet.
Ju nuk keni çka tregoni, andaj tërë ditën krijoni armiq e në mbrëmje vajtoni si askush nuk po dëshiron me qeverisë me ju.
Po Serbinë e kemi armik të përjetshëm. E kemi pasë edhe më herët dhe s’ka ndryshu asgjë POR e vërteta është se lufta ka marrë fund në vitin 1999.
Kosova është Republikë nga viti 2008. Përgjigje Serbisë i kemi dhënë kur ka qenë koha dhe do t’i japim sërish bashkë me aleatët e Kosovës, me të cilët bashkërisht jemi çliruar, kemi shpallur pavarësinë dhe kemi ndërtuar shtetin.
Disa fakte s’mund të ndryshohen. E vërteta është se 420 km kufi Kosovë-Serbi i ruan NATO-ja. Kosova ka ushtrinë e saj dhe po Kushtetuta e Republikës së Kosovës i ka 10 vende të garantuara për serbët – shihni Nenin 64 dhe këtë Albin Kurti nuk mund ta ndryshojë aq sa ka mundur me ndryshu për me na bashku me Shqipëri.
Pakicat s’kanë asnjë peshë në vendimmarrje për t\ua lehtësuar jetën gjithë qytetarëve! Është Albin Kurti ai i cili i ka faktorizu Listën Serbe, duke i përdorë si hije për dështimet në qeverisje.
Gjithashtu e vërtetë është se Albin Kurti e LVV-ja janë koordinuar me Radojiçiqin për pagën e veteranëve, kanë kërkuar vota prej tyre për me zgjedhë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Me një fjalë kanë tradhtuar, kanë mashtruar dhe kanë dështuar.
Videot me zë e me figurë origjinale, këta i kanë problem.
Problemi i tyre është transformimi që e kanë bërë, andaj edhe s’po e njohin veten dhe mllefin po mundohen ta zbrazin të njerëzit si unë.
Më lejoni edhe njëherë të potencoj se: se askush nuk e ka penguar Albin Kurtin me i ndërtu 160 çerdhe, me i ndërtu rrugët magjistrale, me investu në arsim, me investu në shëndetësi, me luftu korrupsionin, me i mbajt familjarët për dasma, por ka DËSHTU.
Hajde tash fushatë e re, zgjedhje të reja të ballafaqohemi me programe.
Kosova është Republikë nga 2008, anipse LVV-ja s’e ka njoftë pavarësinë derisa kanë ardhë në pushtet!
Dështimet nuk mund t’i mbuloni me fushata me profile FALLCE e me Listën Serbe që nuk e keni shpallur organizatë terroriste, por e keni përdorë e jeni koordinuar kundër Kosovës.
S’keni shpëtim. Do t’ju largojmë me votë. Me votën që po të kërkon llogari, po të kërkon përgjegjësi dhe që ua keni humbur shpresën!
Për ta ruajtur Republikën, pra shtetin që është ndërtuar me gjak e sakrificë, nuk do të përdorim armë ndaj jush, nuk do të djegim institucionet, nuk do t’ju sulmojmë në shtëpi e familje amo me rrejtë s’ka, se tash ka video me zë e më figurë e dimë çka keni kritiku, e dimë çka keni premtu dhe e dimë çka keni ba.



