Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se lumi Morava e Binçës mund të dalë nga shtrati dhe të shkaktojë vërshime.
Sipas IHMK-së, njoftimi ka arritur nga Sistemi Evropian i Parashikimit të Motit Copernicus EFAS dhe potencohet se “është joformal për shkak të kohës së shkurtër të parashikimit (<48 orë)”.
Instituti këtë paralajmërim e ka kategorizuar si “alarm të verdhë”, që do të thotë se “moti është potencialisht i rrezikshëm”.
Në njoftimin e IHMK-së thuhet se arsyeja që mund të shkaktojë derdhjen e lumit Morava e Binçes janë të reshurat atmosferike.
“Aktualisht lumenjtë në tërë vendin kanë pësuar rënie, por reshjet e shiut të cilat parashikohet të bien gjatë orëve në vazhdim, sidomos në pjesën lindore (pellgun e Moravës së Binçës), do të ndikojnë në ngritjen e niveleve, sidomos atyre malorë dhe rrjedhimisht edhe Lumin Morava e Binçës me degën kryesore Kriva Reka, të cilat mund të shkaktojnë vërshime”, njoftoi IHMK.
Sipas institutit, situata e tillë do të dominojë edhe në pjesë të tjera të vendit, sidomos në pjesën veri-lindore ku pritet të preket pellgu i Llapit, pastaj pjesa qendrore me lumin Sitnica dhe ajo jugore me pellgun e Lepencit.
Çka do të thotë “Alarmi i verdhë”?
Moti është potencialisht i rrezikshëm. Fenomenet e motit që janë parashikuar nuk janë të pazakonta, por kini kujdes nëse keni ndërmend të praktikoni aktivitete të ekspozuara ndaj rreziqeve meteorologjike. Qëndroni të informuar rreth kushteve të pritshme meteorologjike dhe mos merrni përsipër rreziqe të shmangshme.



