Ish-zyrtari policor Abrnor Spahiu ka bërë të ditur se dje në mesditë është liruar nga burgu i Serbisë, pasi ishte arrestuar më 7 qershor të këtij viti.
Në një postim në Facebook, Spahiu ka theksuar se është mirë dhe më i fortë se kurrë më parë.
“Dje në mesditë jam liruar nga burgu i Serbisë, ku kam qenë i arrestuar padrejtësisht që nga 7 qershori i këtij viti për akuza të rënda, të cilat kanë qenë pjesë e një procesi plotësisht politik dhe të padrejtë. Dua t’ju njoftoj se jam mirë, më i fortë se kurrë dhe mirënjohës për çdo mbështetje gjatë kësaj periudhe të vështirë”, ka thënë Spahiu.
I njëjti ka falënderuar të gjithë që e kanë mbështetur atë në këtë çështje të vështirë të tijën.
“Faleminderit nga zemra familjes sime, shoqërisë, bashkëfshatarëve, ish-kolegeve të mi të Policisë së Kosovës, institucioneve të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë, për mbështetjen morale e emocionale, për vizitat dhe fjalët e mira që i dhanë forcë familjes sime”.
“Faleminderit gjithashtu për çdo ndihmë financiare nga të gjithë ata që kanë kontribuar, e cila ka qenë shumë e vlefshme dhe e çmuar gjatë këtyre muajve të vështirë”, tha Spahiu.
Ai u shpreh falënderues edhe ndaj avokatit të tij dhe mediave që raportuan për të.
“Një falënderim i posaçëm për avokatin tim kryesor, Gvozden Grgur, i cili ka qenë profesional, i palodhshëm dhe i përkushtuar në luftimin për drejtësi dhe mbrojtjen time në çdo hap të këtij procesi. Falenderim edhe për përkthyesin, i cili ka qenë mbështetje e rëndësishme”.
“Gjithashtu, një falënderim i veçantë për çdo njeri dhe çdo media që ka kontribuar, mbështetur, folur apo ndihmuar në forma të ndryshme, mirënjohja ime për ju është e pafund”.
Në fund, ai tha: “Gëzimin që po shoh në sytë e njerëzve, dashurinë dhe lumturinë për lirimin tim, nuk mund ta përshkruaj me fjalë, është një ndjenjë e jashtëzakonshme”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se shtetasi i Kosovës, Arbnor Spahiu, është liruar nga paraburgimi në Serbi, ku kishte qëndruar për një periudhë të gjatë nën akuza për “vrasje të rëndë” lidhur me ngjarjet në Banjskë në vitin 2023.
MPJD bëri të ditur se akuzat e ngritura nga autoritetet e Serbisë ndaj Spahiut kanë qenë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova, ndërsa paraburgimi i tij i zgjatur ka shkelur të drejtën për proces të rregullt dhe trajtim të drejtë, transmeton klankosova.
Ish-polici, Arbnor Spahiu ishte ndaluar nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Horgosh, e më pas ishte dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizhë.



