spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
21:34
HomeBotaUshtria izraelite e bombardon jugun e Bejrutit

Ushtria izraelite e bombardon jugun e Bejrutit

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Ushtria izraelite i ka bombarduar periferitë jugore të Bejrutit me një sërë sulmesh ajrore mëngjesin e së premtes, pasi fillimisht i urdhëroi banorët të largoheshin, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Disa ndërtesa u shkatërruan në disa lagje të Dayihehut në jug të Bejrutit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Liban.

- Advertisement -

Nuk dihet nëse ka viktima nga këto bombardime.

Ushtria izraelite tha se në shënjestër të sulmeve ishin objektet dhe asetet e Hezbollahut. Izraeli vazhdimisht e ka përsëritur këtë qëndrim gjatë kryerjes së sulmeve në gati dy muajt e fundit në Liban.

- Advertisement -

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Bombardimet vijnë pas përpjekjeve të reja po të pafrytshme të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera për arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës dhe në Liban, për t’i dhënë fund një viti luftimesh mes Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani, Hezbollah dhe Hamas.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të enjten se Izraeli dhe Libani janë duke punuar për ta kuptuar se çfarë nevojitet për ta zbatuar një rezolutë të shkelur të OKB-së, 1701, e cila do të ishte themeli për t’i dhënë fund konfliktit.

Por, koha po soset për të gjetur një zgjidhje para zgjedhjeve të 5 nëntorit në SHBA. Zyrtarët e Libanit dhe analistët u treguan pesimistë pas lajmeve se i dërguari amerikan, Amos Hochstein, nuk do të shkojë në Bejrut nga Izraeli, ku ndodhej të enjten.

Konflikti përgjatë kufirit mes Hezbollahut dhe Izraeli u përshkallëzua në luftë të përgjithshme muajin e kaluar, kur Izraeli nisi një valë bombardimesh në të gjithë Libanin dhe vrau udhëheqësin kryesor të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe shumicën e zëvendësve të tij.

Forcat tokësore izraelite depërtuan në Liban në fillim të tetorit.

Udhëheqësi i sapoemëruar i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se grupi militant do ta vazhdojë luftën me Izraelin derisa t’i plotësohen kushtet për një armëpushim që ai i vlerëson të pranueshëm.

Rreth 1.2 milion njerëz janë zhvendosur si pasojë e konfliktit në Liban, sipas vlerësimeve të qeverisë. Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se më shumë se 2.800 njerëz janë vrarë dhe 12.900 janë plagosur që nga 8 tetori 2023, kur Hezbollahu filloi të hidhte raketa në Izrael, duke nxitur hakmarrje. /REL

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat