spot_img
E martë, 23 Dhjetor, 2025
10:44
HomeKosovaAbdixhiku: Presidentes ia propozuam “Pakon e Presidentes”, 15 ditë pa përgjigje

Abdixhiku: Presidentes ia propozuam “Pakon e Presidentes”, 15 ditë pa përgjigje

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas deklarimit të Presidente­s së vendit, Vjosa Osmani, rreth qëndrimeve të tij në procesin e fundit politik, duke thënë se “e vërteta është krejt ndryshe” nga ajo që është paraqitur publikisht.

Abdixhiku thotë se në mbrëmjen e nominimit të Glauk Konjufcës për kryeministër, i ka shprehur gatishmërinë Presidentes që të votohet një pako ligjesh, madje, sipas tij, kjo mund të quhej edhe “Pako e Presidentes”.

- Advertisement -

Sipas tij, kjo pako do të përfshinte:

– zgjatjen e buxhetit për 3 muaj,

- Advertisement -

– votimin e ligjeve për Prishtinën dhe Gjilanin,

– sigurimin e pagave për RTK-në,

– si dhe votimin e Pakos Evropiane të Rritjes.

“Presidentes i kam thënë se LDK është e gatshme të votojë një pako të tillë, për të mirën e vendit”, shpjegon ai, duke shtuar se menjëherë pas mandatimit të Konjufcës, Osmani e ka kontaktuar sërish, duke i thënë se ka biseduar me mandatarin dhe se Vetëvendosje janë shprehur “shumë pozitivë” për këtë ide.

Abdixhiku tutje tregon se atë mbrëmje ka kontaktuar edhe kryetarët e partive të tjera opozitare: Memli Krasniqin (PDK), Ramush Haradinajn (AAK) dhe Fatmir Limajn (Nisma), për t’i njoftuar se ekziston mundësia e votimit të kësaj pakoje. Po ashtu, ai thotë se ka kontaktuar edhe disa ambasadorë të QUINT-it.

Megjithatë, nga ai moment, sipas kreut të LDK-së, për 15 ditë “nuk ka lëvizur asgjë”.

“15 ditë pa asnjë komunikim; përveç një vonese të pakuptueshme në shpenzimin e ditëve para një krize të paralajmëruar. E pakuptueshme për mua; e lexueshme si tendencë për krijim krize dhe fajësim politik”, shkruan Abdixhiku.

Ai thotë se i njëjti propozim iu rikthye në tavolinë në momentin e caktimit të datës së zgjedhjeve, “me stilolaps mbi nënshkrimin e dekretit për zhbërje të Kuvendit”, ku, sipas tij, sërish ka thënë se nëse ka gatishmëri nga të gjithë, LDK nuk është kundër. Sipas Abdixhikut, ky deklarim është i regjistruar zyrtarisht.

“Nuk pati asnjë lëvizje, ani pse ishte vonë. Ani pse ishin shpenzuar 15 ditë pa nevojë. Ani pse nuk kishte asnjë gadishmëri as për ta diskutuar bashkërisht në një vend këtë ide”, shton ai.

Kryetari i LDK-së shprehet se “habitet” se sa lehtë fshihet ky fakt dhe kjo e vërtetë, duke kërkuar që, pavarësisht betejës politike, të ketë “minimalisht korrektësi dhe sjellje njerëzore”.

Në fund, Abdixhiku lë të kuptohet se bllokada politike është e qëllimshme dhe e inskenuar.

“Do ta shihni në ditët në vijim se bllokada ishte e qëllimshme. Nuk është e re. Po zgjatë tash e 12 muaj. Se krejt kjo krizë është inskenim i një beteje të Don Kishotit me mullinj të erës”, shkruan ai, duke shtuar se “Kosova mund të bëhet lehtë. Është e jona. Do ta bëjmë.”

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat