Prokurori i Parisit njoftoi katër arrestime të tjera të martën në lidhje me grabitjen mahnitëse në Muzeun e Luvrit në tetor nga një bandë që vodhi bizhuteri me vlerë 102 milionë dollarë.
Dy burrat dhe dy gratë e arrestuar janë nga rajoni i Parisit dhe janë të moshës nga 31 deri në 40 vjeç, tha prokurorja, Laure Beccuau, zyra e së cilës po drejton hetimin.
Deklarata e saj nuk tha se çfarë roli dyshohet se kanë luajtur ata në vjedhjen e 19 tetorit. Policia mund t’i mbajë ata për t’i marrë në pyetje për 96 orë.
Mediat franceze raportojnë se njëri prej të arrestuarve, një 39-vjeçar tashmë i njohur për shërbimet policore, besohet të jetë anëtari i katërt i ekipit që mendohet se ka kryer grabitjen e guximshme gjatë ditës dhe është nga Aubervilliers, një periferi në veri të Parisit me të cilin të dyshuar të tjerë kanë lidhje.
Tre anëtarët e tjerë të dyshuar të të ashtuquajturit ekip “komando” janë arrestuar më parë dhe përballen me akuza paraprake për vjedhje nga një bandë e organizuar dhe komplot kriminal.
ADN-ja e tyre është gjetur në vendngjarje ose në sende të lidhura me grabitjen.
Një grua e arrestuar në tetor akuzohet për bashkëpunim.



