Presidenti francez Emmanuel Macron tha të hënën se puna për ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën ishte “përfunduar”, duke shtuar se diskutimet do të zhvillohen me zyrtarët amerikanë në ditët në vijim për të “sqaruar” pjesëmarrjen e Uashingtonit.
Komentet e Macron erdhën pas disa orë bisedimesh me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky.
Presidenti francez shtoi se një plan midis Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund armiqësive mund të finalizohet vetëm me përfshirjen e Kievit dhe fuqive evropiane.
“Aktualisht nuk ka një plan të finalizuar për çështjet territoriale, në kuptimin e ngushtë të fjalës. Ai mund të finalizohet vetëm nga Presidenti (Volodymyr) Zelensky”, tha Macron.
“Për çështjen e aseteve të ngrira, garancive të sigurisë, pranimit në Bashkimin Evropian dhe sanksioneve evropiane, ai mund të finalizohet vetëm me evropianët në tryezën e bisedimeve”.
Macron tha se presioni i sanksioneve mbi sektorin energjetik të Rusisë në javët e ardhshme do të jetë “më i larti” që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Nga ana tjetër presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se pret të diskutojë “çështje kyçe” me homologun e tij amerikan Donald Trump.
“Presim një bisedë me presidentin e Shteteve të Bashkuara mbi çështje kyçe që janë mjaft sfiduese”, tha Zelensky.
Zelensky shtoi se prioritetet e Ukrainës në bisedimet e paqes ishin ruajtja e sovranitetit dhe sigurimi i garancive të forta të sigurisë.
Ai u bëri thirrje aleatëve të Kievit të sigurohen që Rusia të mos shpërblehet për luftën që ka filluar.
Pas këtyre deklaratave ka reaguar Uashingtoni.
Administrata Trump tha është “shumë optimiste” për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Administrata ndihet shumë optimiste. Vetëm dje… ata patën bisedime shumë të mira me ukrainasit në Florida”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.



