Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Konferencën e 10-të të Mjedrës në Kosovë, ku ka vlerësuar suksesin e sektorit të frutave të imta dhe ka premtuar se Qeveria do të mbetet një mbështetëse e drejtpërdrejtë e fermerëve.
Në një sallë me mbi 350 pjesëmarrës, përfshirë edhe 30 fermerë nga Shqipëria, Kurti tha se rezultatet e viteve të fundit në bujqësi janë dëshmi e reformave të qëndrueshme dhe përfshirjes së të gjitha komuniteteve në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kosova sot është histori suksesi. Jemi më të sigurt në Evropë sa i përket sundimit të ligjit dhe kjo nuk është rastësi, por rezultat i reformave të qëndrueshme, rritjes ekonomike dhe klimës së stabilitetit,” u shpreh Kurti, duke shtuar se 75% e prodhimtarisë së frutave të imta shkon për eksport, duke gjeneruar rreth 10 milionë euro të ardhura.
Ai theksoi se vendi ka ngritur një zinxhir të plotë prodhimi – nga ara te qendrat e punimit – duke krijuar modele bashkëpunimi që po sjellin kontrata afatgjata në tregjet ndërkombëtare.
Kurti njëherësh ripërsëriti zotimin:
“Një premtim nga qeveria: Do të jem partner, jo spektator.”
Demelezi: Nga janari nisin konferencat e reja bujqësore
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Bujqësisë, Imri Demelezi, tha se Konferenca e Mjedrës mbetet ngjarja e vetme bujqësore që ka arritur të mbajë aktivitet të pandërprerë për një dekadë.
Ai paralajmëroi se nga janari pritet të nisë “Java e Konferencave të Bujqësisë”, duke theksuar se Qeveria do të vazhdojë mbështetjen për inovacion, zhvillim dhe rritje të kapaciteteve.
“Sot bujqësia është më e fortë falë investimeve dhe përkushtimit të fermerëve. Interesi për kulturën e mjedrës po rritet vazhdimisht dhe sektori ka siguri financiare,” tha ai.
Caritas Switzerland: Dhjetë vjet bashkëpunim dhe qëndrueshmëri
Drejtoresha e Caritas Switzerland, Rita Glavitza, theksoi rëndësinë e partneritetit dhjetëvjeçar me fermerët kosovarë, duke e quajtur këtë konferencë një platformë të fuqishme për inovacion, shkëmbim përvojash dhe ndërtim të një bujqësie të qëndrueshme.
“Zhvillimi i vërtetë ndodh kur familjet kanë të ardhura të sigurta dhe të rinjtë shohin të ardhme në vendin e tyre,” u shpreh ajo.
Ajo kujtoi se Konferenca e Mjedrës nisi si një nismë e vogël e Caritas-it, për t’u kthyer sot në një prej eventeve më të rëndësishme bujqësore në vend.



