Një avion i kompanisë AJet, i cili kryente fluturimin VF102 Prishtinë–Stamboll, ka dalë nga sipërfaqja e shtruar pas uljes në aeroportin Sabiha Gökçen të Stambollit, duke detyruar autoritetet të mbyllin përkohësisht pistën jugore të aeroportit – fatmirësisht pa asnjë të lënduar.
Sipas portaleve turke të specializuara në aviacion, bëhet fjalë për një Boeing 737-800 me regjistrim TC-JZN, që uli rrotat në pistën e re 06R/24L rreth orës 18:00 sipas kohës lokale, pas një fluturimi të rregullt nga Prishtina. Pas aterimit, gjatë lëvizjes në taxiway, avioni ka humbur kontrollin në një pistë të lagur nga shiu dhe ka përfunduar në tokë të butë pranë skajit të pistës.
Mediat turke Haber.aero, HavaHaber, AirlineHaber dhe AviationExt raportojnë se reshjet e dendura në Stamboll kanë krijuar kushte të vështira në sipërfaqen e pistës dhe taxiway-t, duke u cituar burime aeroportuale se rrëshqitja ndodhi pikërisht në këto kushte meteorologjike.
Ambasada e Kosovës në Ankara, përmes një komunikate të përcjellë nga portali Koha, ka konfirmuar se të gjithë pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurt, pa u aktivizuar rrëshqitëset emergjente – pasagjerët kanë zbritur përmes shkallëve të jashtme, sipas procedurave standarde, dhe nuk është raportuar asnjë i lënduar në bord.
Edhe portali ndërkombëtar i aviacionit AirLive shkruan se pas incidentit autoritetet kanë mbyllur pistën jugore të aeroportit për të lejuar ekipet teknike të inspektojnë pistën, taxiway-n dhe vetë avionin. Kjo ka shkaktuar vonesa dhe devijime në një nga aeroportet më të ngarkuara të Turqisë, me raporte për vonesa mesatare rreth një ore dhe disa fluturime që janë detyruar të bëjnë “go-around” apo të devijohen në aeroporte tjera.
Në reagimin e saj, Ambasada e Kosovës thekson se pasagjerët – përfshirë shtetas të Kosovës – kanë vazhduar procedurat në aeroport për të shkuar drejt destinacioneve të tyre përfundimtare, ndërsa kompania AJet ka deklaruar se ulja ka qenë “e rregullt” dhe se dalja në tokë të butë ka ndodhur gjatë rrotullimit në taxiway, si pasojë e shkallës së lartë të reshjeve.
Autoritetet turke të aviacionit pritet të hapin një hetim teknik për të përcaktuar shkaktarët e saktë të incidentit – duke analizuar kushtet meteorologjike, frenimin, shpejtësinë gjatë kthesës dhe menaxhimin e pistës së lagur – por deri tani rasti po trajtohet si incident i sigurisë pa pasoja në jetë njerëzish.



