Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi të hënën se Evropa po shkonte në “drejtime shumë të këqija”, në një sulm të ri vetëm disa ditë pasi strategjia e tij e re e sigurisë kritikoi ashpër kontinentin për migrimin masiv.
Trump kritikoi ashpër një gjobë të vendosur nga BE dhe që e quajti “të keqe” në vlerë prej 140 milionë dollarësh ndaj rrjetit social X të manjatit të teknologjisë Elon Musk – ndërsa pranoi se nuk dinte shumë për të – përpara se ta zgjeronte sulmin e tij.
“Shikoni, Evropa duhet të jetë shumë e kujdesshme. (Ata) po bëjnë shumë gjëra. Ne duam ta mbajmë Evropën Evropë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Evropa po shkon në disa drejtime të këqija. Është shumë keq, shumë keq për njerëzit. Ne nuk duam që Evropa të ndryshojë kaq shumë. Ata po shkojnë në disa drejtime shumë të këqija”.
Komentet e republikanit vijnë pas kritikave në strategjinë e re të sigurisë kombëtare të SHBA-së të publikuar javën e kaluar, e cila e cilëson Evropën si të mbirregulluar dhe që përballet me “fshirje qytetëruese” nga migracioni.
Qëndrimi i Trump ndaj Evropës i bën jehonë atij të Musk, ish-aleatit të presidentit, i cili ka bërë vazhdimisht pretendime nxitëse në lidhje me migracionin në BE.
Musk tha pasi X u gjobit për shkelje të rregullave dixhitale të BE-së se blloku duhet të “shfuqizohet”. Brukseli i hodhi poshtë deklaratat e tij si “plotësisht të çmendura”.
Kur u pyet për gjobën, Trump tha se “nuk mendoj se është e drejtë” përpara se të sqaronte se “Elon nuk më ka telefonuar për të kërkuar ndihmë për këtë çështje” dhe duke thënë se do të merrte më shumë detaje më vonë.



