Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një mbledhje të qeverisë në detyrë, tha se i “mirëpret” heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, për të cilat tha se ishin “të padrejta”.
Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk “ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat dhe së dyti deeskalimi ishte pikërisht meritë e institucioneve tona”.
Ai tha se ndodhën dy sulme terroriste gjatë kësaj kohe, njëri në Banjskë e njëri në Varagë të Zubin Potokut në Ibër Lepenc dhe për të dy këto sulme, Kurti tha se ishte plan i përgatitur me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë.
Kurti tha se nëse s’do të ishin “vendimet me kohë dhe reagimi i shpejtë dhe profesional i Njësive tona Speciale të policisë, do të zbardhte një realitet krejt tjetër”.
“Për sulmin mbi kanalin Ibër-Lepenc, provat e grumbulluara dhe informacionet rreth të arrestuarve gjithashtu konfirmojnë përfshirjen e strukturave ilegale të Serbisë dhe vetë shtetit të Serbisë”.
“Në retrosprektivë çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Republikën e Kosovës”.
Duke folur për sulmet nga Serbia, Kurti hodhi akuza ndaj partive që ishin në opozitë.
“Ne gjatë gjithë kësaj kohe s’kemi qenë të hidhëruar me BE-në. Republika e Kosovës masat më të mëdha financiare nuk i ka vuajtur nga BE, por nga opozita parlamentare. Në muajin e kaluar, përkundër insistimit tonë, Kuvendi i Republikës u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes së BE-së në vlerë prej 880 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro. Uroj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit edhe opozita e tanishme t’ia heqë masat Kosovës”, tha Kurti.
Sidoqoftë, Kuvendi mbeti i bllokuar për muaj të tërë pas insistimit të Lëvizjes Vetëvendosje për ta bërë Albulena Haxhiun kryeparlamentare, veprimet e së cilës parti rezultuan jokushtetuese.
Po ashtu, një raport i publikuar nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP, kishte gjetur se masat ndëshkuese të BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 615 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra në afat të pacaktuar, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur pasi janë tejkaluar afatet e lejuara.



