Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vlerësuar si “lajmin më të mirë të ditës” rikonfirmimin e politikës amerikane ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, përmes Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), i cili tashmë ka hyrë në fuqi.
Sipas Haradinajt, ky ligj refuzon qartë çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike, duke forcuar mbështetjen për integritetin territorial të shteteve të rajonit.
“Ky Ligj përcakton qartë politikën amerikane, për zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me qëllim final NJOHJEN RECIPROKE”, ka shkruar mes tjerash Haradinaj.
Postimi i plotë:
Amerika krah Kosovës
Lajmi më i mirë i mundshëm i kësaj dite është rikonfirmimi i politikës amerikane ndaj Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi.
Ligji, tashmë në fuqi, për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, refuzon çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike.
E mbështetë perspektiven e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe të krejt Ballkanit Perëndimor, që përputhet në plotni më përcaktimin tonë të kahmotshëm se anëtarësimi i Kosovës në NATO, është themeli i sigurisë dhe zhvillimit tonë si Shtet e shoqëri.
Ky Ligj përcakton qartë politikën amerikane, për zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin e marëdhënieve Kosovë-Serbi, me qëllim final NJOHJEN RECIPROKE.
Kjo është rikonfirmim i mbështetjes amerikane për demokracitë në Ballkanin Perëndimor, dhe cilido zyrtar i lartë, që punon kundër integritetit territorial të cilitdo shtet, cenon rendin demokratik, shkelë të drejtat e njeriut apo është i perfshirë në afera korruptive, do të sanksionohet sipas këtij Ligji.
Prandaj miqësia e partneriteti ynë me SHBA, ka qenë jetik në të gjitha fazat, përfshirë edhe synimin tonë final, anëtarësimin në NATO dhe BE, që është edhe thelbi i Programit të Aleancës!
Mirënjohje përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës!



