Policia e Kosovës, bashkë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, kanë realizuar sot një operacion të përbashkët, në kuadër të hetimeve për kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq, më 1 nëntor të këtij viti.
Në kuadër të këtij operacioni, është arrestuar V.M në Leshak, ish-pjesëtari i MUP-it të Serbisë, që ishte integruar në policinë e Kosovës, sipas marrëveshjes së vitit 2013, e ku më pas kishte dhënë dorëheqje.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se për personin e arrestuar, ekzistojnë dyshime të bazuara se ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Milan Vukashinoviq, e i cili gjatë kidnapimit ishte plagosur rëndë dhe aktualisht është duke u trajtuar në një spital në Serbi.
“V.M. dyshohet se ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës së Serbisë dhe ato të ushtrisë, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë së Serbisë, si dhe së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë”, ka shkruar Sveçla.
Tutje ministri në detyrë i Punëve të Brendshme ka thënë se në Kosovë, askush nuk mund t’i ikë drejtësisë.
“Institucionet tona profesionale kanë kapacitetet për të adresuar secilin kërcënim dhe për të zbardhur çdo krim. Herët a vonë, para drejtësisë do të dalin edhe personat përgjegjës për këtë rast dhe rastet e tjera, të cilët janë pjesë e institucioneve të sigurisë së Serbisë, përkatësisht strehohen atje dhe shfrytëzohen nga pushteti për qëllime politike dhe të sigurisë”, ka shtuar Sveçla.



