Armando Broja rikthehet tek goli pas fiks 810 ditësh.
“Bomberi” kuqezi “shpërtheu” në festë, pas shënimit të golit, një rikthim i rëndësishëm për të pas lëndimeve të shumta, të cilat e kanë penalizuar pa masë.
Broja ishte projektuar si titullar, por në fund trajneri Paker e futi në fushë në minutën e 65-të.
Kur gjërat po shkonin drejt fundit të keq për ekipin e Burnley-t, në minutën e 90-të, Broja me një goditje të saktë me kokë dërgoi topin në rrjetë duke realizuar një gol me shumë peshë, jo vetëm për të, por edhe për ekipin, për trajnerin, me këtë të fundit që rrezikonte shkarkimin në rast humbjeje.
Broja nuk e fshehu lumturinë për golin e tij të parë me fanellën e Burnley, duke ia dedikuar tifozëve.
“Jam mbi re që shënova golin e parë, vlen sa e gjithë bota për mua. Shpresoj të ketë qenë e njëjta gjë edhe për ju. E pashë reagimin tuaj dhe do të thotë shumë për mua. Jeni të mrekullueshëm. Kjo pikë do të thotë shumë për ne, por shpresoj të kemi vazhdimësi dhe të shtyjmë përpara, faleminderit”, u shpreh Broja në reagimin e tij.



