Ukraina ka intensifikuar fushatën e saj kundër infrastrukturës energjetike ruse, duke hapur një kapitull të ri në luftë: goditjen e burimeve financiare të Moskës përmes sulmeve të përsëritura me dronë ndaj rafinerive, tubacioneve, terminaleve, tankerëve dhe platformave detare.
Sipas raportimeve të CNN, strategjia ukrainase po kalon nga “goditje simbolike” në një model presioni afatgjatë, ku objektivi është të pengohen riparimet dhe kthimi i kapaciteteve në normalitet – një lloj “sanksionesh në distancë” me mjete ushtarake.
Lista e objektivave është zgjeruar ndjeshëm. The Atlantic e përshkruan këtë si një zhvendosje strategjike: nëse fuqia ruse mbështetet te rrjedha e naftës, atëherë ndërprerja e saj bëhet po aq kritike sa goditja e prodhimit.
Një nga veprimet më simbolike është shtrirja e sulmeve në Detin Kaspik. Ukraina ka deklaruar se ka goditur platformën Filanovsky, në pronësi të Lukoil, duke sinjalizuar se edhe asetet energjetike larg vijës së frontit nuk janë më të paprekshme.
Përmes dronëve ajrorë me rreze të gjatë dhe dronëve detarë, Kievi po synon të krijojë pasiguri logjistike dhe të shkaktojë konsum ekonomik. CNN sjell si shembull rafinerinë në Saratov, e goditur disa herë që nga gushti 2025, me qëllim që të mos lejohet rimëkëmbja e plotë.
Në shënjestër kanë hyrë edhe tubacionet – përfshirë Druzhba, një nga arteriet kryesore të naftës ruse drejt Evropës – ku goditjet e përsëritura kanë nxitur edhe reagime, përfshirë ankesa nga Hungaria.
Nga ana tjetër, reagimi i Kremlinit ka qenë i pazakontë: sipas CNN, Vladimir Putin i ka quajtur sulmet ndaj tankerëve “pirateri”, duke tentuar t’i japë çështjes edhe një dimension politik e ndërkombëtar.
Raporti thekson se kjo qasje është lehtësuar edhe nga dy faktorë: tolerancë më e madhe perëndimore për sulmet ndaj aseteve energjetike ruse dhe çmime më të ulëta globale të naftës, që reduktojnë frikën nga goditjet inflacioniste. Ndërkohë, përpunimi i naftës në Rusi raportohet se ka rënë rreth 6% krahasuar me vitin e kaluar, me shenja të herëpashershme tensioni në tregun e karburanteve.
Në thelb, synimi ukrainas është rritja graduale e kostos ekonomike dhe politike të luftës për Moskën – presion si levë, jo vetëm shkatërrim.



