PDK e kalon Vetëvendosjen në numrin e vëzhguesve – KQZ akrediton mbi 18 mijë për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar edhe grupin e katërt të vëzhguesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vëzhguesve në 19,085.
Në këtë raund të fundit janë 18,233 vëzhgues të rinj, prej të cilëve 96% përfaqësojnë subjekte politike, ndërsa pjesa tjetër i takon organizatave joqeveritare, mediave dhe përfaqësive ndërkombëtare.
Në garën për dominim në terren, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kaluar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) në numrin e vëzhguesve të akredituar. Sipas të dhënave të KQZ-së, PDK ka 4,411 vëzhgues, ndërsa Vetëvendosje 4,296. Pas tyre vijnë LDK me 3,636 dhe AAK me 2,969 vëzhgues.
Në listë janë përfshirë gjithashtu subjekte të komuniteteve pakicë si Koalicioni Vakat (766), Lista Serbe (342) dhe KDTP (156), ndërsa disa parti më të vogla kanë numra simbolikë prej 10 deri në 100 vëzhgues.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka konfirmuar se të gjithë aplikuesit kanë plotësuar kriteret ligjore për akreditim.
Megjithatë, dy anëtarët e KQZ nga Lëvizja Vetëvendosje nuk votuan pro për akreditimin e vëzhguesve të Listës Serbe.
Krahas subjekteve politike, janë akredituar edhe organizata të rëndësishme si Kosova Democratic Institute (322 vëzhgues) dhe përfaqësues të mediave vendore e ndërkombëtare, përfshirë RTK, Euronews Albania, Top Channel, TV Klan dhe Reuters.
KQZ ka paralajmëruar se procesi i akreditimit do të vazhdojë deri në ditët e fundit para zgjedhjeve, për të garantuar transparencë dhe mbikëqyrje të plotë të votimit të 28 dhjetorit.



